Oda e Afarizmit kërkon vaksinimin e punëtorëve të sektorit privat

09 qershor 12:23

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) përmes një shkrese ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe Ministria e Shëndetësisë që sa më parë të gjendet mundësia dhe të fillojë vaksinimi i të punësuarve të sektorit privat, në mënyrë që të mos ketë pengesa në lëvizjen e të punësuarve të tyre për çështjet biznesore.

Një kërkesë e tillë vjen pasi Bashkimi Evropian shumë shpejt pritet të kushtëzojë lëvizjen e qytetarëve në bazë të vaksinimit.

“OAK-u vlerëson se një gjë e tillë do të paraqes pengesa dhe vështirësi të jashtëzakonshme në lëvizjen e stafit të sektorit privat për udhëtime jashtë vendit, qoftë për furnizim me lëndë të parë, produkte apo gjysmëprodukte ashtu edhe për marrëveshjet dhe vazhdimin e kontratave të tyre ndërkombëtare. Po ashtu, vaksinimi i kësaj kategorie duhet të jetë me prioritet për shkak se të njëjtit duhet të vazhdojnë ushtrimin e veprimtarisë së tyre dhe kësisoj janë shumë të rrezikuar për infektim dhe përhapje të virusit për shkak të kontakteve të shumta që këta të fundit kanë”, thuhet në njoftimin e OAK-ut.

OAK-u konsideron se vaksinimi i stafit është esencial, pasi do të ndihmonte në mosndaljen e punës së operatorëve ekonomikë të cilët për të ushtruar veprimtarinë e tyre domosdoshmërish obligohen të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valon…