OEK-u: Taksa për importet bujqësore e çrregulloi tregun

31 korrik 2018 | 14:07

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), pas një analize që i ka bërë vendimit të Qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksës doganore deri në 30 përqind për prodhimet bujqësore që hyjnë në Kosovë, konstatoi se kjo masë e ka çrregulluar tregun vendor.

Qeveria e Kosovës e ka marrë këtë vendim për, siç ka thënë, mbrojtjen e produkteve vendore, por e ka tërhequr javën e kaluar, vetëm pas disa ditësh në fuqi, për shkak të presioneve nga shtetet e rajonit.

Sipas OEK-ut, vendimi i Qeverisë nuk është marrë në kohë të përshtatshme.

“Vendimi për aplikimin e masës mbrojtëse për pemë dhe perime jo vetëm që e ka çrregulluar tregun vendor, por ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në çmimin final të produkteve për kompanitë përpunuese dhe tregtare, lënda e parë e të cilave bie në kategorinë e produkteve të mbrojtura”, thuhet në analizën që ka bërë OEK-u.

Me këtë vendim, sipas OEK-ut, është vërejtur zvogëlim i marzhës së fitimit dhe sasisë së shitur, ndërsa shumica e bizneseve të industrisë kanë theksuar se nuk ka prodhim vendor të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e konsumatorëve për pemë dhe perime.

Oda Ekonomike e Kosovës kërkoi që para se të merren vendime të ngjashme në të ardhmen, të bëhen analiza dhe studime të detajuara lidhur me efektet zinxhirore që pasojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka filluar realizimi i kampanjës vetëdijësuese kundër përdorimit të telefonave…