Operacioni “Brezovica”, arrestohen ish-sekretari dhe kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit

06 janar 2022 | 14:49

Nga shtatë të arrestuarit gjatë bastisjeve në kuadër të operacionit “Brezovica”, dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor.

Në pranga si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit kanë përfunduar ish-sekretari i Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku dhe Bedri Halimi, kryeinspektor në këtë ministri.

Nga dhjetë lokacionet që janë bastisur të enjten në vazhdim të operacionit “Brezovica”, janë arrestuar shtatë persona.

Ndërsa në të njëjtin operacion, rreth dy javë më herët Policia e Kosovës kishte arrestuar edhe dhjetë persona të tjerë.

Bastisjet e së enjtes kanë përfunduar në Ferizaj e në Shtërpcë, ndërsa pritet të përfundojnë së shpejti edhe në Prishtinë.

“Deri me tani janë arrestuar shtatë (7) persona, dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, si dhe pesë (5) qytetarë të dyshuar për dhënie të ryshfetit”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës ka kryer një aksion në Shtërpcë lidhur me ndërtimet, ku ka arrestuar dhjetë persona.  Në mesin e tyre është edhe Bratisllav Nikolliq, ish-kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe.

Arrestimi i tyre është bërë nën dyshimin për vepra penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, gjegjësisht për dhënien e leje për ndërtimet në Brezovicë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes…