‘Opozita na la pa votimin e katër marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë 100 milionë euro’

19 prill 2022 | 15:06

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë të martën se opozita ka tentuar që të formojë një Komision Hetimor për energjinë i cili është në kundërshtim me ligjin.

“Sot ishim dëshmitarë të një përpjekje të kundërligjshme për të votuar formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar. Ishte përpjekja e dytë e opozitës (PDK dhe AAK),  të cilët në kundërshtim me rregullat për formimin e komisionit, tentuan që të vendosin para aktit të kryer seancën plenare të Kuvendit”, ka thënë Kusari-Lila në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Ajo ka ritheksuar që grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka refuzuar të bëhet pjesë e kësaj vendimmarrje, e cila sipas saj shkel mbi normat e Ligjit për hetimin parlamentar.

“Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u kurthuan në një vendimmarrje që nuk lejohet të bëhet sipas ligjin për formimin e komisioneve parlamentare”, ka thënë Kusari-Lila.

Më tutje, ajo ka akuzuar opozitën për dështimin e votimit të katër marrëveshjeve ndërkombëtare, vlera të cilave, siç ka thënë ajo arrin në 100 milionë euro.

“Vetëm sa për informatën e juaj dhe të qytetarëve, sot në mungesë të partive opozitare, si rrjedhojë e lëshimit të sallës, mbetën pa u votuar katër marrëveshje ndërkombëtare. Vlera totale e tyre 100 milionë euro. Kushtëzimi i pjesëmarrjes së tyre dhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është në kundërshtim me mandatin e tyre sepse këto marrëveshje janë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
776 pacientë kanë marrë ndihmë mjekësore emergjente brenda katër ditëve…