Osmani dhe Vitia njoftohen me shërbimet e reja të fertilizimit të asistuar mjekësor

22 mars 2023 | 15:18

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kanë vizituar të mërkurën Klinikën e Gjinekologjisë ku janë njoftuar për parapërgatitjet finale për të funksionalizuar shërbimet e reja të fertilizimit të asistuar mjekësor dhe citogjenetikës, në kuadër të planit të veprimit dhe dinamikës së paraparë.

Stafi i Klinikës së Gjinekologjisë ka njoftuar Vitin dhe Osmanin edhe për punën dhe shërbimet që ofrohen në baza ditore.

Ministri Vitia dhe presidentja Osmani panë nga afër përgatitjet infrastrukturore, të cilave u janë shtuar edhe mbi 1.5 milion euro të dedikuara për pajisjet specifike me qellim te funksionalizimit te shërbimit të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (FAM).

Pas aprovimit të Projektligjit për FAM nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes së cilit do të plotësohet edhe aspekti legjislativ, ministri Vitia ka thënë se ndikimi pozitiv i kësaj iniciative për popullsinë e Kosovës është dukshëm më i lartë se sa kostoja e saj.

“Gjatë vitit të parë, për funksionalizimin e shërbimit për FAM është ndarë shuma në vlerë mbi 1.5 milion euro për sigurimin e pajisjeve të nevojshme dhe sigurimin e materialit shpenzues”, deklaroi ministri Vitia, i cili ka falënderuar presidenten Osmani për përkrahjen e vazhdueshme.

Ndërsa presidentja Osmani ka deklaruar se çdo shërbim shëndetësor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se ajo mbetet e përkushtuar që të përkrahë çdo kërkesë që do të jetë në shërbim të shëndetit të qytetarëve, duke e theksuar edhe rëndësinë që e ka Fertilizimi i Asistuar Mjekësor (FAM).

Me FAM, adresohet mbi 15 për qind të popullsisë të moshës riprodhuese të Kosovës të cilët kanë probleme me infertilitet, si dhe mundësohet diagnostikimi i hershëm sëmundjeve të trashëgueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia Rajonale e Ferizajt në bashkëpunim me Sektorin e Rinisë…