
Osmani: Është e rëndësishme të ulen tensionet në veri dhe t’i jepet hapësirë dialogut
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujari Osmani, ka shprehur mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, është e rëndësishme qe të ulen tensionet në pjesën veriore të Kosovës dhe t’i jepet hapësirë dialogut.
Ai po qëndron për vizitë në Kosovë ndërsa ka folur pas takimit me homologen e tij, Donika Gërvalla.
“Ne mbështesim këtë proces që mbështet stabilitetin rajonal, është e rëndësishme të ulen tensionet në veri të Kosovës që t’i jepet hapësirë dialogut të lehtësuar nga BE”, ka thënë ai.
Ndërsa në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Osmani ka theksuar marrëdhëniet e mira me institucionet e Kosovës.
Bujar Osmani është pritur në takim edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, politikani shqiptar nga Maqedonia e Veriut do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Maqedonia e Veriut ka marrë këtë vit kryesimin e OSBE-së. Pritjet e Osmanit janë që të vendosin vëmendjen në rolin e OSBE-së, në teren dhe në lehtësimin e pasojave që konfliktet i sjellin mbi njerëzit. /Ksp