Osmani komandantit të KFOR-it: Të shmangen situatat si ajo e Karaçevës

10 gusht 2020 | 17:45

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot komandantin e KFOR-it, Michele Risi, me të cilin ka diskutuar për aspekte të sigurisë në vend dhe ndihmën që KFOR-i mund të japë në menaxhimin e pandemisë Covid-19.

“Kryetarja Osmani u njoftua me gatishmërinë e strukturave të NATO-s, përkatësisht të misionit të saj në Kosovë, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të vendit në menaxhimin e pandemisë Covid-19”, është thënë në komunikatën për medie të Kuvendit.

Sipas komunikatës, gjeneral Risi ka shprehur gatishmërinë e strukturës që ai e udhëheq që KFOR-i të ofrojë të gjitha kapacitetet e nevojshme për ndihmë popullit dhe institucioneve të Kosovës për menaxhimin e kësaj pandemie.

Me gjeneral Risin, kryeparlamentarja Osmani ka diskutuar edhe për rolin e KFOR-it në ofrimin e sigurisë për qytetarët e vendit.

“Kryetarja Osmani tha se, si udhëheqëse e Kuvendit dhe përfaqësuese e popullit, e çmon jashtëzakonisht lart gatishmërinë e KFOR-it për të siguruar ambient të qetë dhe të sigurt, por kërkoi po kështu që bashkëpunimi i kësaj strukture ushtarake të thellohet me institucionet e sigurisë të Kosovës, në mënyrë që qytetarët e vendit të ndihen të sigurt dhe që të shmangen situatat, sikur ajo e Karaçevës, të cilat mund të ndikojnë që qytetarët e vendit të mos ndihen të sigurt”, është thënë në komunikatë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekspertë të shëndetit publik kanë dalë në të njëjtin përfundim:…