Osmani mirëpret ambasadorin e ri të ShBA-së në Kosovë

10 janar 2022 | 12:28

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Osmani është shprehur e kënaqur për ta mirëpritur në Kosovë ambasadorin e ri, duke e siguruar se “nuk do të gjeni asnjëherë aleat më të përkushtuar dhe më besnik sesa Republika e Kosovës”,

“Kam kënaqësinë e veçantë që sot t’ua prezantoj ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, z. Jeff Hovenier. Në një kohë shumë të rëndësishme për të dy vendet tona, si në rrafshin individual, e po ashtu në rrafshin bilateral, është kënaqësi ta mirëpres sot në Prishtinë një person si ambasadori Hovenier, i cili është shumë i afërt me Republikën e Kosovës sepse ka shërbyer këtu më herët dhe i kupton shumë mirë dinamikat në vendin tonë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova ka ndryshuar prej asaj të cilën e kujton ambasadori amerikan, pasi sipas saj, ka ecur përpara.

“Mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe. Kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Osmani.

Më tutje, ajo ka thënë se Kosova është e bekuar që e ka ShBA-në pranë.

Hovenieri është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KËNGË BURGU I   Qiellit jam sikur shqiponjë Në krah…