Osmani në Bruksel: Kosova e ka vendin këtu, në mesin e familjeve evropiane

23 qershor 2022 | 10:31

Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka nisur Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane po diskutojnë me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të garës do të jetë mundësia e dhënies së dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.

Në fund të samitit, sonte vonë, liderët do të miratojnë konkluzionet në të cilat, për herë të parë pas një kohe të gjatë, do të konfirmojnë “angazhimin e qartë për perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE” dhe do të bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesi i anëtarësimit.

Nga Kosova në këtë takim po merr pjesë presidentja Vjosa Osmani.

Para samitit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u tha gazetarëve se Kosova synon që në samit të theksojë që e ka vendin në Bashkimin Evropian.

“Ne e kemi vendin këtu, në mes të familjeve të kombeve evropiane, ku kemi kontribuar me shekuj. Ne kemi nevojë një mesazh të unifikuar të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë të lihet për keqdashësit, natyrisht që do ta përdorin”, tha Osmani.

Pritjet e opinionit kosovar nga samiti kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, pasi Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes.

E pyetur nëse ka shpresa se në këtë samit do të ketë përparime në procesin e liberalizimit të vizave, Osmani tha se shpreson, por nuk dëshiron të nxisë pritje nga njerëzit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se çështja e…