Osmani në Shqipëri: Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë

16 dhjetor 2020 | 17:44

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se me homologun shqiptar, Ilir Meta, kanë diskutuar për barrierat e vogla që mund t’i pengojnë këto shtetet në rrugën e tyre drejtë të ardhmes evropiane.

“Kjo vizitë jo vetëm që do t’i rikonfirmojë jo vetëm raportet vëllazërore në mes të dy vendeve sepse nuk do t’i quaja ashtu, por raporte mes motrave sepse ashtu janë më të sinqerta. Në të njëjtën kohë po shohim se si t’i eliminojmë barrierat sado të vogla që mund të jenë në mes të shteteve”, ka thënë ajo një konferencë të përbashkët me Metën.

Më tutje, Osmani ka folur edhe për çështjen e akuzave të Speciales për ish-drejtuesit e UÇK-së.

Ajo ka thënë se Serbia ka kryer krime dhe jo Kosova.

“E vërteta është se në Kosovë është Serbia ajo që ka kryer gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, sepse nuk ka ndonjë të vërtetë tjetër dhe këtë e ka parë e gjithë bota. Ne serish kemi nevojë për ndihmën e madhe të Shqipërisë dhe që të jetë zëri ynë aty ku ne nuk kemi zë. Ne diskutuam me presidentin se si mund ti avancojmë këto diskutime për të ardhmen e vendit tonë. Kosova ende nuk ka ulëse në shumë organizata të mëdha ndërkombëtare”, ka thënë më tutje ajo.

Pjesë e diskutimit me presidentin Meta, sipas Osmanit ka qenë edhe situata në arsim, shëndetësi e aspekte të tjera sociale.

Osmani ka përmendur edhe çështjen e ndryshimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“E falënderova presidentin Meta edhe për qëndrimin e tij rreth idesë së rrezikshme për ndryshim të kufijve. Sado që mund të quhet një ide e vdekur pas një kohe mund të rikthehet në tavolinë prandaj është e rëndësishme një zë i fuqishëm si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë që kjo ide të kundërshtohet”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani është…