Osmani: Nevojiten masa parandaluese për pasojat eventuale të pandemisë

26 maj 2020 | 14:48

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ka pritur të martën në takim një grup të profesionistëve nga fusha e psikologjisë në kuadër të muajit të shëndetit mendor.

Në takim u diskutua krijimi i një linje të vazhdueshme bashkëpunimi ndërmjet profesionistëve të kësaj lëmie dhe institucioneve të vendit për temat që kanë të bëjnë me shëndetin mendor.

Osmani ka thënë se periudha e pandemisë është shoqëruar më vështirësi edhe nga aspekti i shëndetit mendor, ndaj ka thënë se duhet marrë masa parandaluese nga pasojat eventuale të shkaktuara nga kjo situatë.

Ndërsa profesionistët, e kanë njoftuar Osmanin se janë marrë me trajtimin e kategorive specifike, siç janë të moshuarit apo studentët.

Sipas tyre, në një shoqëri e cila dominohet nga rinia, është më rëndësi të krijohet ambient ku maksimalizohet potenciali i individit.

Më tutje, ata kanë thënë se pandemia ka rritur pabarazinë ndërmjet kategorive të ndryshme sociale.

Të dy palët janë pajtuar se problemet e shëndetit mendor nuk duhet të trajtohen vetëm nga profesionistët, por duhet ngritur vetëdija qytetare, në mënyrë që problemet e tilla ta marrin vëmendjen e duhur nga ana e institucioneve.

Gjithashtu është thënë se çështjet e shëndetit mendor nuk duhet trajtuar përgjatë një muaji apo në raste krizash, por duhet të jetë preokupim i vazhdueshëm institucional.​ (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është caktuar orari i ndeshjeve të para gjysmëfinale të Digitalb…