Osmani: Nuk mund të pranojmë që çështja e kufijve të bëhet pjesë e negociatave
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me Miroslav Lajçak, ka thënë se institucionet e reja do të angazhohen në dialog, por me një qasje të re, e cila, sipas saj, synim kryesor do të ketë trajtimin e barabartë në dialog dhe njohjen e ndërsjellë si akt final.
“Qasja e re nënkupton që ne assesi nuk mund ta pranojmë që çështja e kufijve, sovraniteti, rregullimit kushtetues të Kosovës të bëhen pjesë e negociatave sepse ato negociata kanë përfunduar në vitin 2008, nën mandatin e Ahtisartit”, tha Osmani.
“Kosova ka bërë shumë koncesione, sa e kanë sjellë buzë jofunksionalitetit. Nuk është tema se çfarë mund të japë sërish Kosova, por se si BE-ja mund t’ua jap përfitimin Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE”, shtoi ajo.
Osmani tha se ka kërkuar nga Lajçaku që pas kontituimit të insititucioneve të reja, t’iu ofrohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të dialogut dhe të shihet se në çfarë faze janë zbatuar ato dhe çfarë mund të bëhet.
Pas takimit me Osmanin, Lajçak u takua me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti.