Osmani për samitin e Brdo-Brijunit: Zëri i Kosovës u dëgjua dhe interesat e saj u promovuan

18 maj 2021 | 16:18

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë me dije se në samitin e Brdo-Brijuni ka përfaqësuar qëndrimet e Republikës së Kosovës në raportet bilaterale dhe rajonale me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se Republika e Kosovës është projekt i përhershëm dhe pjesëmarrja e saj në nisma rajonale dhe ndërkombëtare bazohet çdoherë në trajtimin e barabartë me shtetet pjesëmarrëse.

Sipas saj, në këtë samit u dëgjua zëri i Kosovës dhe u promovuan interesat e saj.

 

Postimi i plotë i Osmanit:

Gjatë samitit të procesit Brdo-Brijuni përfaqësova qëndrimet e Republikës së Kosovës në raportet bilaterale dhe rajonale me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Republika e Kosovës është projekt i përhershëm dhe pjesëmarrja jonë në nisma rajonale dhe ndërkombëtare bazohet çdoherë në trajtimin e barabartë me shtetet pjesëmarrëse.

Pata diskutime të frytshme bilaterale me Presidentin Millanoviq të Kroacisë, Presidentin Gjukanoviq të Malit të Zi, Presidentin Pendarovski të Maqedonisë së Veriut dhe Presidentin Meta të Shqipërisë.

Në këto takime theksuam që e ardhmja e rajonit është anëtarësimi në Bashkim Evropian dhe në NATO. Po ashtu, dënuam idetë për ndryshim të kufijve në rajon dhe ndikimin negativ në rajon të akterëve të tjerë.

Gjatë samitit dhe në takimet bilaterale ngrita çështjen e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit. Kjo pikë u përfshi në Konkluzat e samitit që u miratuan nga liderët pjesëmarrës.

Me mbështetjen e krerëve të shteteve të tjera pamundësuam përfshirjen e ideve të rrezikshme që vinin nga Serbia e që cënojnë interesat e Kosovës dhe vendosin bashkëpunimin rajonal jashtë binarëve të rregullave të BE-së.

Zëri i Kosovës u dëgjua dhe interesat e saj u promovuan. Ne jemi gati sot dhe çdoherë për bashkëpunim me fqinjët tanë në promovimin e vlerave evropiane në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Bujqësisë në Ferizaj, Burim Bajrami ka vizituar fermerët…