Osmani propozon Fond Investiv 300 milionë euro për punësimin e të rinjve

21 shtator 2019 | 17:31

Gjatë prezantimit të Programit Nacional për Zhvillim dhe Punësim, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se qeveria e drejtuar prej saj do të krijojë Fondin Investiv prej 300 milionë eurosh, mjete këto që do të merren nga Fondi i privatizimit.

“Bizneset private do të subvencionohen nëse marrin në punë punëtorë të rinj. Do të ofrohen lirime tatimore për investitorë të mëdhenj për punësimet masive që mund t’i bëjnë ata. Do të bëhet një linjë e veçantë për financimin e kapaciteteve eksportuese. Do të ketë përkrahje financiare për bizneset e reja. Kemi paraparë mbledhjen e TVSH-së në brendi të Kosovës, zvogëlimin e informalitetit dhe thjeshtësimin e procedurave të deklarimeve tatimore”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se Fondi Investiv do të mbështet financiarisht idetë inovative në vend dhe si i tillë, ai do të zgjerohet nga kontribuuimet eventuale nga individë brenda vendit dhe nga diaspora. Fondi Investiv parashihet të menaxhohet në mënyrë të pavarur.

Duke bashkëbiseduar me përfaqësuesit e bizneseve, Osmani tha se të gjithë këto investime dhe lehtësira për kompani private do të bëhen duke krijuar në Kosovë sundim të ligjit dhe transparencë të plotë në shpenzimin e parasë publike, çka do të ndikojë që qytetarëve tu ofrohen shërbime më cilësore në arsim, infrastrukturë dhe në sektorët e tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Munichu ka arritur të sigurojë fitore me rezultat 4:0…