Osmani: Vushtrria rikthehet në Superligë

17 dhjetor 2018 | 20:45

Autori i 12 golave në sezonin vjeshtor, Labinot Osmani, beson se skuadra e Vushtrrisë do ta mbajë pozitën e parë deri në fund të kampionatit dhe të rikthehet në Superligë.

Skuadra e Vushtrrisë ka treguar një sezon shumë të mirë në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Kjo skuadër u rendit e para pas përfundimit të sezonit vjeshtor, duke lënë pas vetes skuadra të njohura si Besa, Dukagjini, Vitia dhe Vëllaznimi. Kapiteni i Vushtrrisë, Labinot Osmani, për “Epokën e re” ka thënë se rrugëtimi drejt një suksesi të tillë ka qenë i vështirë, por rezultatet kanë qenë plotësisht të merituara. Sulmuesi i dëshmuar në futbollin e Kosovës, i cili ka realizuar 12 gola, beson se nëse klubi përforcohet me dy lojtarë, atëherë inkuadrimi në Superligë do të ndodhë.

“Mendoj se jemi shpallur kampionë vjeshtorë me shumë mund dhe besoj se ka qenë një punë e vështirë dhe e mundimshme deri këtu, por rezultatet kanë qenë të merituara. Nëse vazhdojmë me këtë formë dhe nëse klubi bën dy përforcime, besoj shumë në inkuadrimin në Superligë”, ka thënë Osmani, i cili ka folur edhe për skuadrat e tjera që kanë gjasa më të mëdha për t’u inkuadruar në rangun më të lartë në futboll. “Ne jemi konkurrentë së bashku me Besën, Vëllaznimin, Dukagjinin dhe ndonjë skuadër tjetër”, ka shtuar ai.

Labinot Osmani ka folur edhe për edicionin e kaluar, kur skuadra e Vushtrrisë luajti në barazh por, pas penalltive, mbeti sërish në Ligën e Parë. Sipas tij, Vushtrria me pak fat ka mundur të ishte pjesë e Superligës. “Vitin e kaluar kemi treguar shumë lojëra të mira dhe mendoj se me pak fat kemi mundur të jemi pjesë e Superligës por, siç e dini, në barazh penalltitë kanë vendosur fatin tonë që edhe këtë edicion të bëjmë gara në Ligën e Parë”, ka shtuar Osmani.

Sulmuesi i Vushtrrisë ka një karrierë të pasur futbollistike dhe, si për koincidence, tri ish-skuadrat e tij janë duke luftuar për titull në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. “Mendoj se skuadrat konkurrente për titull në Superligë do të jenë Prishtina dhe Feronikeli, kurse Llapi do t’i presë gabimet e dy skuadrave të para. Do të jetë një kampionat interesant ashtu sikurse edicionin e kaluar”, ka përfunduar Osmani.

Skuadra e Vushtrrisë e përfundoi sezonin vjeshtor me 38 pikë, tri më shumë se Besa e Pejës.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, mori pjesë në…