Pacolli: Heroizmi i familjes Jashari dhe UÇK-së ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës

06 mars 2022 | 13:22

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, e ka kujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përvjetorin e saj.

Pacolli ka thënë se Epopeja e UÇK-së e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari shënon kulminacionin e sakrificës për lirinë dhe pavarësinë që gëzohet sot.

“Bota perëndimore njohu guximin, sakrificën, flijimin, dhe vullnetin e shqiptarëve për liri dhe shtet. UÇK-ja ishte në ballë të kombit, përderisa ajo çfarë gëzojmë sot, ishte besimi i ushtarëve, se kjo tokë e ky vend, përherë ka qenë, është, dhe do të mbetët, amaneti i njerëzve të saj”.

“Heroizmi dhe sakrifica e familjes Jashari dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës. UÇK-ja u dha fund përpjekjeve për ta çuar Kosovën në autonomi dhe nën sundimin vazhdueshëm serb dhe bëri që populli i Kosovës të luftojë për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Pas sakrificës së familjes Jashari, nuk kishte rrugë tjetër veç sakrificës kolektive për atdheun”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka deklaruar mes tjerash se “Epopeja edhe lufta e UÇK-së në Kosovë dhe lufta në Ukrainë sot janë luftë e civilizimit kundër barbarisë në Evropë. Luftë kundër agresionit. Është lufta kundër fashizmit dhe tiranisë!”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nipi i heroit Agim Ramadani, Muhamet Ajrullahu në nderim të…