Pacolli: Hyrjen e Kosovës në NATO nuk mund ta pengojë asnjë vend i rajonit

13 dhjetor 2017 | 12:13

Hyrjen e Kosovës në NATO nuk mund ta pengojë e as ta vonojë askush prej vendeve të rajonit.

Ky ka qenë njëri prej mesazheve kryesore të adresimit të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Kartës së Adriatikut (A5), që po i zhvillon punimet në Maqedoni, nën kryesimin e kësaj të fundit.

“Ju e dini rëndësinë absolute dhe relative të këtij forumi si paradhomë e NATO-s, për të gjithë ne individualisht dhe për Kosovën posaçërisht. Hyrjen e Kosovës në NATO as nuk mund ta pengojë e as ta vonojë askush prej vendeve të rajonit. E di se Bosnja është njëri nga shtetet, që po e pengon këtë anëtarësim. Para jush, dua ta pyes homologun e Bosnjës: Pse ju nuk doni, që Kosova të përfshihet në këtë paradhomë të NATO-s? A ju krijon ky fakt probleme të brendshme, probleme ndëretnike? Nuk e besoj. A keni ndonjë pakënaqësi me trajtimin e minoritetit boshnjak në Kosovë? Ju e dini, se yjet e etnive në flamurin e Kosovës janë të barabartë. Ju e dini sa mirë shkojnë shqiptarët me boshnjakët kudo, në Kosovë dhe jashtë saj. Kjo, që ju po bëni në fakt është pasojë e asaj se nuk doni të keni marrëdhënie me ne, se nuk doni lëvizje të lirë reciproke të shtetasve tanë në territoret respektive. Pse ky nivel i ulët marrëdhëniesh? Pse e kërkon Serbia këtë? Më duket se jeni gabim. Dhe, ju nuk duhet të rrini pas Serbisë. Serbia me Kosovën ka marrëdhënie të një niveli të caktuar; bisedon në Bruksel, ka lëvizje të lirë të qytetarëve”, ka thënë Pacolli.

“Nëse ju nuk e njihni Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, çfarë shteti mendoni se gjendet në territorin tonë? Serbia? As Serbia nuk e pretendon këtë .Jo të nderuar zotërinj, në territorin e Kosovës, falë aksionit të NATO-s për të ndalur gjenocidin, falë shumë rezolutave ndërkombëtare, administrimit ndërkombëtar, vullnetit të popullit shprehur me votën e parlamentit në 17 shkurt 2008, falë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së 2011, ka një shtet sovran të pavarur. Edhe Serbia e di këtë dhe e pranon këtë realitet”, ka vazhduar prezantimin e tij ministri Pacolli.

Aktualisht, Republika e Kosovës ka statusin e vendit vëzhgues të Kartës së Adriatikut dhe pjesëmarrja e saj është mbështetur në këtë status. Në fund të vitit të shkuar (2016) në Deklaratën Ministrore të miratuar në Zagreb, është hapur mundësia e anëtarësimit të Kosovës me të drejta të plota.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti Lapidar Lladrovci, djali i kryetarit të Komunës së Drenasit,…