Pacolli: Kosova u bë shtet falë mbështetjes amerikane

19 janar 2018 | 16:27

Ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, ka takuar sot të Ngarkuarën e Përkohshme me Punë njëherësh Zëvendës-shefen e Misionit Diplomatik amerikan në Kosovë, Collen Hyland, me të cilën ka diskutuar mbi mbarëvajtjen e zhvillimeve të fundit politike në vendin.

Përmes një komunikate për medie, MPJ-ja ka treguar se Pacolli dhe Hyland janë konsultuar mbi nevojën e bashkërendimit dhe koordinimit të hapave dhe veprimeve të përbashkëta për periudhën në vijim, me theks të veçantë në çështjet, që ndërlidhen me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Pacolli ka thënë se Kosova u bë shtet falë mbështetjes amerikane. “Ishte kënaqësi e veçantë, që të pranojë letrat e urimit për festat e fund vitit nga Presidenti amerikan, Donald J. Trump dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex W. Tillerson. Mbështetja e palëkundur dhe e fuqishme amerikane ndaj shtetit të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet jetike për Kosovën, si në planin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm, nëpërmjet integrimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës. Kosova lindi, u zhvillua dhe integrua në komunitetin ndërkombëtarë të shteteve falë mbështetjes së fuqishme dhe konsistente nga aleatët dhe partnerët e saj strategjik, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne, kemi ditur të zgjedhim orientimin tonë strategjik në kohët më të vështira dhe këtë rrugë do ta ndjekim edhe në të ardhmen ”, ka thënë Pacolli.

Në këtë takim diplomatja amerikane ia ka dorëzuar kryediplomatit të Kosovës letrat e urimit për festat e fund vitit nga Presidenti amerikan, Donald J. Trump dhe homologu i tij, Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex W. Tillerson.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar të premten komunën…