Pacolli: Renditja e Kosovës në PISA, shqetësuese

04 dhjetor 2019 | 17:54

Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, e ka radhitur Kosovën në vendin e 77-të në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.

Një ditë pas këtij publikimi ka reaguar edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli, i cili e ka quajtur shqetësuese këtë dështim të Kosovës. Sipas tij, duhet që urgjentisht të bëhen ndryshime thelbësore brenda sistemit të arsimit në mënyrë që kjo të ndryshojë.

“Këto rezultate janë zhgënjyese por janë edhe të pritshme, janë në nivelin e rezultateve të vitit 2015, me përmirësime fare të lehta në pikët e leximit dhe matematikës, e kjo është si pasoj e asaj që nuk është bërë asnjë ndryshim thelbësor brenda sistemit të arsimit, i cili do të sillte rezultate më të mira”, ka shkarkuar Pacolli në profilin e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Islam Pacollit:

DËSHTIM QË DUHET TË NA SHQETËSOJ

Ngjashëm si në vitin 2015, edhe kësaj radhe, Kosova u radhit në vendin e tretë nga fundi në testin e njohur si PISA me rezultate të ulëta në arsim, në fushën e leximit, matematikës dhe shkencave.
Përsëri, performanca e dobët në arsim, po del të jetë si pasojë e mos ndërtimit të reformave të reja si dhe politizimit të sektorit të arsimit në Kosovë.
Këto rezultate janë zhgënjyese por janë edhe të pritshme, janë në nivelin e rezultateve të vitit 2015, me përmirësime fare të lehta në pikët e leximit dhe matematikës, e kjo është si pasoj e asaj që nuk është bërë asnjë ndryshim thelbësor brenda sistemit të arsimit, i cili do të sillte rezultate më të mira.
Gjatë kësaj periudhe nxënësit tanë kanë filluar mësimin me po ato plan programe dhe tekste mësimore si nxënësit e gjeneratës paraprake dhe janë përballur me një sistem të arsimit ku nuk ka përgjegjësi dhe llogaridhënie, gjë që ndikon në performancën e dobët të tyre.
Këto rezultate, edhe pse janë shqetësuese dhe shumë alarmuese, nuk duhet të na befasojnë, pasi që gjithçka është e mundshme, kur dihet botërisht se sot shkollat tona janë shumë të politizuara dhe të shndërruara në degë të politikës.
Politika duhet të heq dorë njëherë e për gjithmonë nga arsimi, pasi që në shkolla nuk duhet dhe nuk mund të ketë vend për drejtorë dhe mësimdhënës të cilët janë militantë politikë, të cilët janë aty sa për t’ju shërbye subjekteve të ndryshme politike, e jo për cilësi në mësim.
Këta nxënës të testuar nga PISA, nesër duhet të jenë bartës të proceseve të rëndësishme të zhvillimit të vendit , andaj niveli i arsimit çfarë ne sot e kemi në Kosovë duhet të jetë shqetësim dhe preokupim i madh jo vetëm për klasën politike e cila do të udhëheqë me vendin, por për gjithë shoqërinë dhe mu për këtë shkollat nga politika dhe shoqëria në përgjithësi duhet të marrin mbështetje shumë më të madhe, duhet mobilizim për të hartuar plan se si duhet vepruar tutje, në mënyrë që të rritet cilësia në mësimdhënie.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Robert de Hesus Eskobar Gaviria, vëllai i bosit kolumbian të…