Padia për gjenocid ndaj Serbisë po vlerësohet proces i vështirë

03 maj 2022 | 23:58

Muaji që lamë pas është cilësuar si muaji i përvjetorëve të vrasjeve dhe masakrave më të mëdha që Serbia ka kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Vetëm në muajin prill të 1999-s forcat ushtarake dhe policore serbe sipas të dhënave, vranë mbi 4000 civilë shqiptarë. Por jo vetëm kaq. Gjatë luftës, forcat serbe ekzekutuan mbi 13 mijë shqiptarë, kryen mbi 400 masakra, policët e ushtarët serbë dhunuan mbi 20 mijë femra, dogjën e shkatërruan pothuajse tërë infrastrukturën.

Për këto ka fakte e dëshmi të shumta. Madje për mbledhjen e sa më shumë materialeve që tregojnë që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, Ministria e Drejtësisë e kishte hapur edhe një adresë elektronike, në të cilën qytetarët mund të dërgojnë materiale që faktojnë krimet serbe. Për këtë në Ministri thonë se janë duke pranuar në vazhdimësi materiale të tilla.

“Është hapur ajo adresë, ne në vazhdimësi jemi duke pranuar materiale dhe ju e dini që Ministria e Drejtësisë këtë e ka një ndër çështjet me prioritet. Këtë javë finalizohet një draft i parë i Ligjit për institutin, besojmë që në javën e ardhshme do të jetë në konsultime paraprake publike dhe diku në qershor besojmë ta kemi ligjin të votuar në Qeveri dhe pasi ligji të kalojë procedurat e rregullta të miratimit edhe në Kuvend do të aktivizohet instituti. E pastaj instituti është kompetent që të sistematizoj edhe këto të dhëna”, ka theksuar për RTK-në Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres Albulena Haxhiu.

Mbledhja e këtyre materialeve ka për qëllim që në rast se institucionet e Republikës ta padisin Serbinë për gjenocid, të jetë i dokumentuar dhe faktuar. Por nga organizata “Çohu” thonë se një padi e tillë është vështirë e realizueshme.

“Ajo çka është dashur të bëjnë institucionet e që nuk është bërë deri tash e që mendoj që tash është shumë vonë, është dashur që të paktën të kemi të grumbulluara krimet që i ka kryer Serbia në Kosovë. Po ashtu, edhe dëmet që i ka shkaktuar, me vlerë dhe me vend e çkado që ka ndodhur. Pra me qenë të evidentuara. Këto gjëra institucionet tona nuk i kanë të evidentuara, prandaj është shumë problem hartimi i një padie për këtë çështje”, ka theksuar Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”.

Por sa ka të drejtë Kosova të parashtrojë padi ndaj Serbisë për gjenocid në aspektin juridik. Përgjigje japin nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Në aspektin juridik ne e konsiderojmë që për momentin në të cilën gjendet Kosova, parashtrimi i një padie të tillë është i pamundur për vet faktin që Kosova nuk është pjesë e OKB-së, e me këtë nuk është as pjesë e statutit të GJND-së. Duke i pasur parasysh këto pengesa atëherë adresimi i kësaj padie kemi frikë se do ta shpallej e papranueshme posa të dorëzohet në GJND”, ka theksuar Yll Zekaj nga IKD.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse lufta po zhvillohet në territorin e Ukrainës, gjithnjë…