Samiti BE-Ballkani Perëndimor sërish pa Serbinë: Brukseli optimist për udhëheqjen e re
Serbia “me shumë gjasë” nuk do të harmonizohet me deklaratën përfundimtare të samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, pasi ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë dhe kryetari i Kuvendit, Aleksandar Çupiq, nuk do të marrë pjesë në këtë takim.
Kështu bënë të ditur zyrtarë të lartë të BE-së, të përfshirë në përgatitjet për samitin që do të mbahet të mërkurën, më 25 nëntor, në Bruksel.
Në deklaratën përfundimtare, ndër të tjera, thuhet se madhërimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik nuk janë në pajtim me vlerat themelore të BE-së.
Nga vendet e rajonit kërkohet të kultivojnë respektin dhe solidaritetin ndaj të gjitha viktimave, si dhe të respektojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore për krime lufte.
Çupiq mori detyrën javën e kaluar, pasi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Serbisë, më 19 nëntor.
Ai njëkohësisht ushtron edhe detyrën e presidentit të këtij vendi, pasi Aleksandar Vuçiq dha dorëheqje në shtator, kur vendosi të kandidonte për kryeministër.
BE-ja shpreh mirëkuptim për mungesën e Çupiqit
Diplomatët në Bruksel shprehën mirëkuptim për vendimin e Çupiqit për të mos marrë pjesë në samit.
Ky samit ishte mundësia e parë që fituesit e zgjedhjeve të tetorit në Serbi të merrnin pjesë në një takim evropian të nivelit më të lartë politik.
Zyrtarët e përfshirë në përgatitjet e samitit vlerësuan se mungesa e Çupiqit është e kuptueshme, duke pasur parasysh tranzicionin politik në Beograd.
Ata shtuan se i shohin me optimizëm marrëdhëniet me autoritetet e ardhshme serbe.
Zyrtarët e BE-së konfirmuan se presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, kishte zhvilluar një “bisedë shumë të mirë” me Çupiqin.
Ky i fundit e kishte njoftuar Costën se vendimi për të mos marrë pjesë në samit lidhej me “zhvillimet urgjente” në Kuvendin e Serbisë.
Sipas këtyre burimeve, gjatë bisedës telefonike, të dy u pajtuan që të takohen në “mundësinë e parë të radhës”.
Në atë takim pritet të diskutohet për afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian, por edhe për prioritetet e përcaktuara nga Lista Studentore – para së gjithash për luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.
“Në përgjithësi, marrëdhëniet me Qeverinë dhe autoritetet e ardhshme serbe i shohim me shumë optimizëm”, tha një zyrtar i BE-së.
Lista Studentore shënoi fitore bindëse ndaj Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi dhe, me 140 deputetë, siguroi shumicën absolute në Kuvend.
Çfarë pret BE-ja nga udhëheqja e re e Serbisë?
Sipas zyrtarëve evropianë, shtetet anëtare të BE-së do të presin nga autoritetet e ardhshme në Beograd të njëjtën gjë që kanë kërkuar edhe nga pushteti i mëparshëm: sundimin e ligjit, një orientim të qartë strategjik dhe përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Harmonizimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet, mbetet kërkesë e vazhdueshme e Brukselit ndaj Beogradit.
Sipas të dhënave të BE-së, Serbia vazhdon ta ketë shkallën më të ulët të harmonizimit në rajon – prej rreth 59 për qind, raporton REL.
Megjithatë, zyrtarët evropianë shprehin mirëkuptim për faktin se autoriteteve të reja u duhet kohë për t’u konsoliduar dhe se ato janë të përqendruara në çështjet e brendshme dhe në sundimin e ligjit.
Komisioni Evropian vlerëson, prej kohësh, se grupkapitulli i tretë në negociatat e anëtarësimit me Serbinë është teknikisht i gatshëm për t’u hapur, por se shtetet anëtare ende nuk kanë arritur pajtim për këtë gjë.
“Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave – të gjitha këto do të ndihmojnë në rikthimin e një shkalle të besimit të shteteve anëtare”, tha një burim evropian, duke folur për mundësinë e zhbllokimit të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.
BE-ja pret formimin e institucioneve në Serbi për vazhdimin e dialogut me Kosovën
Sa i përket dialogut me Kosovën, BE-ja, mësa duket, nuk planifikon të organizojë ndonjë takim në nivel udhëheqësish para formimit të institucioneve të reja në Serbi.
Zyrtarët e BE-së konfirmuan se shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, është e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë, por se për këtë nevojiten “partnerë të qëndrueshëm institucionalë”.
“Do të duhet pak kohë derisa Serbia të ketë një qeveri dhe më pas do t’i vazhdojmë diskutimet”, tha një zyrtar.
Një pjesë e deklaratës përfundimtare të samitit i kushtohet edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në të theksohet se mungesa e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve ngadalëson rrugën e të dyja palëve drejt Bashkimit Evropian.
Udhëheqësit e BE-së do të kërkojnë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, duke paralajmëruar se përfitimi i fondeve nga Plani i Rritjes kushtëzohet me një qasje konstruktive ndaj këtij procesi.
Samiti i dytë radhazi pa Serbinë
Ky është samiti i dytë i rregullt që mbahet në Bruksel pa përfaqësues të Serbisë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bojkotoi samitin, si reagim ndaj moshapjes së grupkapitullit të tretë në negociatat e anëtarësimit në BE.
Edhe atëherë, Serbia nuk u harmonizua me deklaratën përfundimtare të samitit.



