“Pakoja e energjisë dhe projektet e tjera të financuara nga BE-ja po tregojnë rezultate pozitive”

05 tetor 2023 | 13:02

Në fillim të vizitës zyrtare në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me drejtorin e përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman.

Zëvendëskryeministri Bislimi u shoqërua në këtë takim nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Temë qendrore e diskutimit, ishin projektet në bashkëpunim me Bashkimin Evropian si dhe perspektiva e zgjerimit të BE-së.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar se Republika e Kosovës e vlerëson lartë iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim prezantuar nga presidentja e Komisionit, Von Der Leyen, si dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së, përfaqësuar nga presidenti i Këshillit, Michel, që zgjerimi të arrihet deri më 2030.

Siç njofton zyra për informim e Qeverisë, Kosova e sheh veten pjesë të familjes evropiane.

“Viti i kaluar ka qenë veçanërisht vit evropian për Kosovën ku vendi ynë ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe Këshill të Evropës, si dhe pas punës së përkushtuar të institucioneve të Republikës për arritjen e Liberalizimit të Vizave. Përtej barrierave me të cilat jemi përballur, vendi ynë ka performuar më lart edhe se vendet e tjera të rajonit veçanërisht në indikatorë ekonomikë e të sundimit të ligjit. Kjo është dëshmi e potencialit tonë për rritje e zhvillim dhe gatishmërisë për hapa të rëndësishëm në integrimin evropian, andaj është momenti që Kosovës t’i hiqen pengesat në rrugëtimin drejt BE-së”, është bërë me dije në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Duke iu referuar këtij njoftimi, ministrja Rizvanolli foli mbi projektet në kuadër të Pakos për Energji e financuar nga BE-ja, si dhe impaktin e shpejtë pozitiv që po e kanë këto projekte.

“Sektori i energjisë është një nga sektorët ku qeveria është përqendruar në trajtimin e barrierave të të gjitha aspekteve, andaj pakoja e energjisë si dhe projektet e tjera të financuara nga BE-ja, Qeveria e Republikës, apo institucione tjera ndërkombëtare janë mirë të planifikuara dhe po tregojnë rezultate pozitive”, u tha në njoftimin për medie.

Së fundmi, u theksua se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet, me qëllim avancimin e agjendës evropiane e përmbushjen e reformave.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha,…