Pakoja e ringjalljes ekonomike, Murati prezanton masat për mbështetjen e punësimit

21 shtator 2021 | 12:38

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka prezantuar të martën zgjerimin e masave të punësimit në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Ai gjatë një konference për media, ka thënë se prioritet kryesor i qeverisë është punësimi. “Kësaj vazhdojmë t’i qëndrojmë prapa me politika publike që orientohen në ndihmën për zgjerim të kapaciteteve dhe punësim, e rrjedhimisht formalizim të ekonomisë. Në kuadër të masave të punësimit, si pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, ndër të tjera është paraparë mbështetja për rikthimin në punë të atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, mbështetja për punëtorët e formalizuar, si dhe mbështetja për punësimin e grave”, është shprehur Murati.

Ai ka theksuar synojnë që ta shtrijnë më tutje fushatën e punës së deklaruar dhe këtë do ta bëjnë normë në ekonominë e vendit. “Kemi paraparë zgjerimin e këtyre tri masave. Kësisoj, MFPT-ja ka punuar në shtrirjen e mbështetjes edhe tek punëmarrësit që janë të deklaruar në ATK prej datës 1 korrik 2021 e tutje dhe që kanë kontrata të nënshkruara, të cilët përkrahës pagës nga punëdhënësi, do të mbështeten edhe nga qeveria”, ka theksuar Murati, duke shtuar se mbështetja do të ofrohet për të gjithë ata që kualifikohen sipas Masës 1.1 dhe punësohen. “Mbështetja do të jetë tre muaj nga 100 euro”, ka thënë ai.

Ndërkaq për të gjithë të tjerët (Masa 1.2 dhe 1.3) që janë punësuar/deklaruar prej periudhës tatimore korrik 2021 e tutje (e që nuk kanë qenë të punësuar/deklaruar në periudhën qershor 2021) mbështetja do të jetë tre muaj nga 50 euro.

Ministri Murati ka theksuar se aplikimi për subvencionim për punëdhënësit tashmë është i hapur tek platforma EDI në ATK, kurse aplikimi për punëmarrësit do të hapet ditëve në vijim.

Aplikimi do të jetë i hapur deri më 15 tetor, gjë që përbën një mundësi të mirë për të gjithë punëdhënësit dhe punëmarrësit të përfitojnë nga këto masa.

Gjithashtu, duke konsideruar që shumë ndërmarrje të vogla operojnë me kapacitete të limituara, MFPT-ja ka përgatitur edhe forma standarde të kontratave të punës, ashtu që t’ju lehtësohet edhe më shumë procesi i formalizmit të punëtorëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë…