Panairi vjeshtor i librit AAB 2018, cilësohet më i miri në rajon

04 tetor 2018 | 18:07

Me një ceremoni solemne Kolegji AAB, të enjten është bërë hapja e edicionit të parë të Panairit Vjeshtor AAB 2018, ngjarje kjo e cila do të pasojë edhe në ditët në vijim.

Hapjen e panairit e bëri rektori i Kolegjit AAB, prof. dr. Lulzim TAFA, i cili para të pranishmëve ka theksuar se AAB tashmë i ka dhuruar Kosovës shumë ngjarje kulturore e artistike, por se kjo e sotshmja është e një rëndësie të veçantë pasi që në fokus ka studentin.

“Ne kemi panaire që mbahen në ambiente shqiptare si ai i pranverës në Prishtinë, i nëntorit në Tiranë e të tjerë, por nuk kemi pasur një panair ku libri i ofrohet studentit. Prandaj, edhe qëllimi i këtij panairi është që librari të jetë një me lexuesin. Studenti nuk është një lexues si të gjithë të tjerët por është një lexues që leximin e ka jo vetëm pasion por edhe detyrim. Kjo e bënë të veçantë këtë panair”, ka thënë rektori Tafa.

Ai ka theksuar se pjesë e këtij panairi përveç studentëve të Kolegjit AAB, hapësirë për pjesëmarrje do të kenë edhe vizitorët e tjerë nga vendi e rajoni, ku me këtë rast do të mund të gjejnë libra të zhanreve të ndryshëm që ky panair i librit ofron këtë vit. “… edhe pse mbahet në ambiente univeristare ky panair nuk ka kufizime, por është i hapur për gjithë adhuruesit e librit që dëshirojnë të shijojnë atë që ofron libri të cilin ju dhe ne sot e ofrojmë për lexuesit”, ka thënë rektori Tafa.

Hapjen e panairit e ka përshëndetur edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku, e cila ka përgëzuar Kolegjin AAB për organizimin e kësaj ngjarjeje me rëndësi të madhe për dashamirësit e librit.

“Një përgëzim i veçantë për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm i cili nuk duhet të konsiderohet një aktivitet fjalimesh por leximesh, i cili në fakt duhet të krijohet si një traditë në të gjitha familjet si pjesë e komunitetit dhe shoqërisë kosovare. Sot si kurrë më parë lexuesit kanë mundësi të shumta që të shërbehen me libra të fushave të ndryshme”, ka thënë Morina-Bunjaku.

Panairin e përshëndetën edhe Ambasada e Shqipërisë në Kosovë dhe Shoqata e Botuesve të Kosovës. Panairi i Librit AAB 2018 do të jetë i hapur për vizitorë deri më 7 tetor nga ora 10:00 deri në orën 18:00, ndërsa, qindra tituj e mijëra ekzemplarë nga rreth 50 botues nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, do të jenë në dispozicionin tuaj me oferta të veçanta.

Të gjitha Shtëpitë Botuese, pjesëmarrëse të edicionit të parë të Panairit AAB 2018, u shprehën të befasuar me organizimin dhe ambientet e panairit të sivjetmë, duke e krahasuar madje edhe me panaire ndërkombëtare, si ai i Frankfurtit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian dëshiron të ndërtojë marrëdhëniet më të mira të…