Pandemia rëndoi gjendjen e fëmijëve në Kosovë

01 qershor 2020 | 11:44

Gjendja e fëmijëve në Kosovë është rënduar edhe më tutje pas përhapjes së pandemisë Covid-19 në Kosovë.

Shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime sociale, ndërkaq shumë të tjerë po shfrytëzohen për punë të rënda, e në raste të tjera edhe po trafikohen. Niveli lokal nuk e ka prioritet një gjë të tillë, ndonëse edhe buxheti që ndahet nuk mjafton as për subvencionim.

Kështu është thënë në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve ku KOMF-i ka publikuar raportin e monitorimit “Komuna ime, e drejta ime sociale”.

Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, ka thënë se si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, fëmijët në këtë ditë ndërkombëtare janë në gjendje edhe më të rëndë.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbime. Po ashtu fëmijët të cilët janë të përfshirë në punët e renda po abuzohen dhe po janë pre e trafikimit. Fëmijët nuk po trajtohen me prioritet as nga qeveria e komunat. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është aprovuar me 29 qershor vitin e kaluar. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi ne korrik. Investimi në fëmijë është i domosdoshëm, në Kosovë gjendja sociale është rënduar. Pikët e dobët mbesin shërbimet sociale sidomos për fëmijët”, ka thënë ajo.

Ndërsa Bukureza Surdulli nga KOMF-i, ka thënë se për këtë raport kanë monitoruar shtatë komuna të Kosovës.

Sipas saj, për shkak të mosimplementimit të procesit të decentralizimit, në ministrinë e punës shumë persona mbesin pa shërbime. /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Kosovës në futboll, Fidan Aliti ka thënë se…