Partitë fillojnë mobilizimin për zgjedhjet e 14 shkurtit

08 janar 2021 | 11:22

Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit do të jetë dhjetë ditë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e së enjtes, ka vendosur që fushata për zgjedhjet e reja të nisë më 3 shkurt dhe të përfundojë më 12 shkurt.

Në këtë mbledhje të KQZ-së është vendosur që aplikimi i subjekteve dhe kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme do të fillojë më 8 janar dhe do të përfundojë më 16 janar. Ndërsa tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotime do të mbahet më 1 shkurt.

“Jemi të obliguar nga dita e sotme t’i fillojmë përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve do të kemi reforma zgjedhore dhe do të adresohen të gjitha çështjet. Ky është plani operacional dhe këto afate do të jenë të qasshme në faqen e KQZ-së, porsa të aprovohen në këtë mbledhje. 5 milionë e 560 mijë euro do të jetë projeksionbuxheti, por nuk do të thotë që i gjithi do të harxhohet. Prej nesër do t’ia bëjmë kërkesën qeverisë për alokimin e këtyre mjeteve”, ka thënë në mbledhje kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Një ditë më parë, ushtruesja e detyrës e presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të mbahen më 14 shkurt. Caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme është mirëpritur nga subjektet politike. Udhëheqësit e partive politike janë shprehur të bindur në rezultate pozitive në këto zgjedhje. Me dekretin për shpalljen e zgjedhjeve të reja, Osmani ka shpërndarë legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka udhëzuar KQZ-në për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

“Me ketë vendim KQZ-ja është udhëzuar t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës. U. d. presidentja,  po ashtu, ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Shpallja e ditës së zgjedhjeve është mirëpritur nga faktori politik vendor dhe ndërkombëtar. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e 14 shkurtit do të jenë referendum për vendin.

Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se më 14 shkurt politika e keqe do të ndodhet para gjyqit popullor. “Pas shtatë muajve na u dëshmua ajo që dihej nga fillimi. Zgjedhja e qeverisë koti ka qenë kot. Zgjedhje e paligjshme, jokushtetuese. Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme, por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Më 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se më 14 shkurt, festën e zemrës do ta bëjnë edhe kremte të demokracisë. “Punë e arsim, drejtësi e shëndetësi. Kaq duan qytetarët. Qeveria jonë e re do të jetë shërbim i mirë. Sepse qytetari është mbreti i republikës. Më 14 shkurt, festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë”, ka shkruar Kurti.

Ndaj shpalljes së zgjedhjeve ka reaguar edhe BE-ja, duke thënë se presin zgjedhje transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, në një postim në llogarinë e vet në “Twitter”, ka shkruar Pisonero. “Ne kemi marrë njoftimin për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 14 shkurt. Bashkimi Evropian pret zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente, të zhvilluara në përputhje me standardet ndërkombëtare në mënyrë që Kosova të mund të ecë përpara”, ka shkruar ajo.

Më tutje, Pisonero ka thënë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me të gjithë në Kosovë për ta promovuar agjendën e integrimit evropian dhe reformat e nevojshme.

Shpallja e datës së zgjedhjeve pason publikimin e aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që konstatoi se zgjedhja e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte bërë në mënyrë jokushtetuese kjo për shkak se për qeverinë Hoti kishte votuar Etem Arifi, ndaj të cilit kishte një dënim të formës së prerë, për veprën penale “mashtrim me subvencione” me dënim prej më shumë se një viti.

Në aktgjykim është thënë se qeveria Hoti nuk kishte marrë votat e nevojshme në parlament (61 vota) pasi vota e Arifit ishte e pavlefshme. Gjithashtu, aty është thënë se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.

Osmani, pas vendimit të Kushtetueses, e cila më 21 dhjetor konstatoi se qeveria Hoti u zgjodh në mënyrë jokushtetuese, zhvilloi konsulta me partitë politike, për ta caktuar datën e zgjedhjeve. Sipas verdiktit të Kushtetueses, u. d. e presidentit u udhëzua që të shpallen zgjedhjet e reja jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së aktgjykimit. Qeveria Hoti ishte zgjedhur më 3 qershor, me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

 Partitë prezantojnë aderimet dhe mobilizojnë strukturat 

Prej se Gjykata Kushtetuese, në muajin e kaluar, ka bërë me dije se qeveria Hoti është e kundërligjshme, subjektet politike kanë filluar të përgatiten për zgjedhjet e parakohshme. Liderët e subjekteve politike kanë filluar takimet me strukturat e tyre nëpër gjithë vendin dhe kanë prezantuar para publikut aderimet e reja.

Në prurje të reja, këto ditë më aktive ka qenë PDK-ja, e cila ka prezantuar dy përforcime. Fillimisht, kryetari në detyrë i kësaj partie dhe kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka prezantuar analistin Faton Abdullahu dhe më pas profesorin universitar Ardian Kastrati.

Ditë më parë edhe lideri i LV-së, Albin Kurti, si ardhje të re në këtë parti ka prezantuar profesorin Mustafë Bajrami dhe disa asamblistë të LDK-së. Edhe AAK-ja dhe Nisma gjatë kësaj kohe kanë treguar se radhëve të tyre u janë bashkuar asamblistë të partive të tjera dhe disa intelektual të rinj. Subjektet politike kanë filluar të prezantojnë para mediave edhe pjesë të programeve të tyre elektorale. PDK-ja ka bërë me dije se në programin e saj do të ketë një pako për diasporën e cila do të përfshijë edhe tre kandidatë të diasporës në listën e kësaj partie për deputetë, ndërsa pako për Luginën e Preshevës do t’i përfshijë në listën për deputetë dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës që e përfaqësojnë secilën komunë të Luginës.

Kurse lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Aleanca shumë shpejt do ta publikojë programin ekonomik 2021-2025, në kuadër të të cilit do të prezantohet projekti për Fondin e Mbijetesës Ekonomike, me vlerë mbi 1 miliard euro për vitin 2021. Sipas tij, fondi do ta garantojë përkrahjen për bizneset, kthimin e punëtorëve që kanë humbur vendet e punës për shkak të gjendjes pandemike, mbështetjen për familjet në krizë ekonomike e shumë përfitime të tjera.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reshjet e mëdha të shiut gjatë orëve të hershme të…