PD-ja dorëzon në Kuvendin e Shqipërisë projektrezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

27 maj 2022 | 16:42

Partia Demokratike (PD) ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektrezolutë për dënimin e masakrave dhe gjenocidit serb në Kosovë.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj mësohet se ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë këtë rezolutë, e cila është premtuar më herët nga kjo parti.

Projektrezoluta e thekson dhe përdorë termin gjenocid për dhunën e kryer nga forcat serbe në territorin e Kosovës. Ajo bazohet në raportin e reporterit special të OKB-së A/53/322 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të datës 11.09.1998, për vrasjet dhe ekzekutimet e banorëve shqiptarë në vendbanimet e tyre dhe numrin e madh të të dëbuarve, sikundër dhe në deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në sesionin e 53-të të Komisionit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, E/CN.4/1999/SR.19, datë 9 korrik 1999, për fundshekullin e 20-të “nën retë e zeza të gjenocidit”, e që karakterizohet edhe nga “fushata e spastrimit etnik të kryer nga autoritetet serbe në Kosovë, që duket se ka vetëm një qëllim: të dëbojë nga Kosova ose të vrasë sa më shumë shqiptarë etnik, duke i mohuar të drejtat themelore për jetën, lirinë dhe sigurinë”.

Rezoluta i referohet krimeve të kryera nga forcat serbe përmes një fushate të planifikuar dhe institucionalizuar në rang shtetëror me qëllim zhdukjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e dhunshëm të përbërjes etnike, që rezultoi me dëbimin e rreth 1 milion personave (shoqëruar me konfiskimin e dokumenteve të identitetit, automjeteve apo çdo lloji tjetër me qëllim shkatërrimin e dëshmive për identitetin dhe përkatësinë e tyre shtetërore), vrasjen e rreth 12 mijë civilëve të pambrojtur nga të gjitha etnitë, mes të cilëve 1392 fëmijë dhe 1739 gra.

Gjithashtu në bazën e saj janë 100 masakrat kolektive të evidentuara ndaj popullsisë civile në Kosovë, kryesisht shqiptarë, me shkatërrime të vendbanimeve dhe shtëpive në shumë qytete e fshatra në territorin e Kosovës; duke pasur parasysh tmerret e këtyre akteve brutale ndër të cilat përfshihen djegien e gjallë në prani të të familjarëve, vrasjen mizore të fëmijëve, grave dhe të moshuarve si në Likoshan, ku nga 28 shkurti deri në 1 mars 1998 kishte pasur 24 viktima civile. /abcnews.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Muncheni duket se është gati të negociojë me sulmuesin…