PDK-ja e Vetëvendosje përplasen për agjendën evropiane

06 qershor 2018 | 17:15

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme kanë shqyrtuar dhe miratuar disa projektligje dhe raporte të agjencive të pavarura.

Ligjvënësit gjatë shqyrtimi të raportit vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2017, kanë pasur kritika të shumta, ndonëse pas debatit ky raport ka marrë mbështetjen e deputetëve me 59 vota për, 11 kundër dhe 6 abstenime.

Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, ani pse ka mbështetur raportin e AKK-së, ka shprehur shqetësimin rreth mos deklarimit të pasurisë nga zyrtarë të lartë të qeverisë.

Kritika të shumta ndaj raporti ka pasur deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, sipas së cilës në këtë raport nuk është evidentuar asnjë rast i zyrtarëve të lartë që janë dënuar me burg për raste të korrupsionit.

Një përplasje verbale në këtë pikë është zhvilluar në mes të deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa dhe atij të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj.

Deputeti Beqa, ka kërkuar anashkalimin e interpelancave të shumta që po thirrën nga opozita në mënyrë që t’i kryejnë prioritetet për agjendën evropiane.

Por, deputeti Rexhaj ka thënë se nëse dikush është kundër agjendës evropiane, atëherë është kjo qeveri.

“Në fakt kjo qeveri ka agjendë anti-evropiane dhe për këtë u konstatua kur në mënyrë të paligjshme i deportuan shtetasit turq dhe mbi këtë bazë ambasadat reaguan për këtë gjë sepse u tundën themelet e institucioneve të Kosovës, u shkelen liritë dhe të drejtat e njeriut dhe se me agjendë evropiane nënkupton kur ti e lufton krimin dhe korrupsionin”, ka thënë Rexhaj.

Menjëherë pas kësaj është përgjigjur Beqa.

Ai ia ka përmendur Rexhajt, jahtet, aferat e fundit të përgjimeve mes zyrtarëve të Vetëvendosjes dhe gazin lotsjellës.

Mirëpo, deputeti i Vetëvendosjes, duke iu kundërpërgjigjur kolegut të tij nga PDK-ja, ka thënë se partia e tij tenton që t’i barazojë të gjithë dhe t’i bënë sikurse është vetën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka shqyrtuar në lexim të…