PDK-ja në Prishtinë kërkon që zona e Badocit të ruhet nga ndërtimet dhe këmbimet

31 janar 2024 | 16:50

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë ka kërkuar që zona përreth liqenit të Badocit të ruhet nga ndërtimet dhe këmbimi i pronave.

Kryetari i grupit të asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, në një konferencë për medie, ka bërë me dije se mërkurën se nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e ftuar të Kuvendit Komunal të Prishtinës pasi sipas tij është “muaji i dytë që ky kuvend është shndërruar në fushëbetejë pronash”.

“Derisa në mbledhjen e dhjetorit u votua këmbimi i pronave që kanë në epiqendër Badovcin me kuorumin e mundësuar nga opozita me në krye LV-në, sot nga vetë këta të fundit u iniciua anulimi i të njëjtit vendim. Ne e kemi ditur se çështja e Badovcit do të rikthehet në diskurs publik në këtë qeverisje. Në 2020 kemi votuar kundër, në fushatë kemi deklaruar kundër, dhe vazhdojmë të mos e përkrahim: Zona e Badovcit duhet të ruhet nga ndërtimet dhe këmbimet me çdo kusht, edhe nëse kjo nënkupton që PDK-ja në Prishtinë, si pjesë e koalicionit qeverisës, nuk e mbështesim në Kuvend”, ka thënë Retkoceri.

Ai ka thënë se përpjekja e sotme për të anuluar një vendim, të cilin vet LV-ja e ka mundësuar është përpjekje e shfajësimit nga një e keqe publike.

“Partneri i koalicionit, me në krye kryetarin Rama beson që vendimi është i duhur. Të njëjtën me të drejtën e tij e ka paraqitur edhe në një konferencë për media. Ky vendim mori mbështetje në Kuvend nga shumica e asamblistëve prezent në mbledhje, por u mundësua vetëm sepse LV-ja çuditërisht vendosi të qëndrojë në sallë. Këtë njëherë e arsyetoi se duhet ta bënte sepse është në vend pune. Por ne e dimë që ka shumë mbledhje të kaluara ku LV-ja nuk ka qëndruar në sallë. Më vonë edhe deklaruan se ‘atyre pronarëve, komuna iu ka borxh tokë dhe kjo sipas tyre është e pakontestueshme”, ka thënë Retkoceri.

Ai ka thënë se ajo çfarë duhet të theksohet është se ky vendim nuk është me vetëm një vendim i votuar në një ditë pune në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por tashmë është në gjykatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së…