PDK, LDK dhe AAK kundërshtojnë projektbuxhetin për vitin 2022

25 nëntor 2021 | 14:08

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke u shqyrtuar në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë hedhur kritika në drejtim të këtij projektbuxheti.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se nuk ka shifra për investim në cilësime e arsimit, nuk ka shifra për të punësuarit se do të ketë rritje të pagave, nuk ka shifra për pensionistët, invalidët e luftës dhe kategori tjera.

Sipas tij, Qeveria dhe ky buxhet jep mesazh që nuk është buxhet i zhvillimit por i mashtrimit.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se në projektbuxhetin e prezantuar nuk reflektohet asnjë politikë fiskale që e mundëson mbushjen e buxhetit.

“Në tre vitet e ardhme nuk ka asnjë projekt madhor. Në shëndetësi numri i mjekeve mbete i njëjtë në 4 vitet e ardhshme, pra ata që janë pa punë do të mbesin pa punë, pagat mbeten të njëjta. Nuk ka ndryshime në sektorin privat, nuk është rrit paga minimale në 250 euro dhe duket se as në vitin 2022 nuk do të ketë rritje”, ka thënë Hoti.

Ai po ashtu ka thënë se hekurudha Prishtinë-Durrës nuk figuron askund në buxhet. Te buxheti i RTK është ulur, sipas Hotit ky është gabim i madh, raporton Demokracia.com.

Ndërsa, deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka thënë fakti që shumica e kabinetit Qeveritar nuk gjendet në sallë lë shumë për të dëshiruar për këtë projektbuxhet.

Lekaj ka thënë se ky buxhet është i varfër.

“Vetë qasja e Qeverisë për një buxhet që përfitojnë qytetarët është një injorancë totale. Rrija e çmimeve e vështirëson edhe më shumë bujqësinë. Është për keqardhje në këtë buxhet nuk ka mbështetje për politikat sociale, i cili është premtim kryesor i kësaj Qeverie. Për mua është buxhet i varfër me investime kapitale anë e kënd vendit”, ka thënë Lekaj.

Projektbuxheti për vitin 2022 pritet të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro ose rreth 9 për qind më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2021 që ishte në vlerë 2 miliardë e 516 milionë euro.

Në seancën e sotme po ashtu në rend dite është edhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Golden State nuk ndal marshimin e saj në kampionat, duke…