PËR KË BIE KAMBANA?

04 shkurt 16:23

Agim Vinca

(Manifesti i 30 intelektualëve evropianë)

Letra e 30 intelektualëve evropianë, shkrimtarë, filozofë, publicistë, e publikuar këto ditë, nuk është studim, as analizë, por një apel, një manifest.
Nuk më duket e drejtë, prandaj, që të kërkohet nga ky dokument t’i radhisë një për një problemet me të cilat përballet sot Bashkimi Evropian, por edhe shoqëria evropiane në përgjithësi.
Fjala është për një tekst të shkurtër, me gjithsej 635 fjalë, i cili nuk mëton të bëjë analiza, por të lëshojë një zë për rrezikun që i kanoset Idesë së Evropës nga forcat populiste e ksenofobe që kanë vërshuar kontinentin.
Letra e 30 shkrimtarëve dhe publicistëve evropianë, në mesin e të cilëve është edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare, është një kambanë alarmi për rrezikun që i kanoset Evropës, siç do të thoshte europianisti i madh Denis de Rougemont, nga “vala e re e shovinizmave fanatikë etnikë”, në njërën anë dhe nga “materializmi primitiv”, në anën tjetër.

Autori i këtij manifesti, filozofi francez Bernard-Henri Lévy, alias “BHL”, i njohur botërisht si intelektual publik dhe të 29 nënshkruesit e tjerë të tij, e japin mesazhin qysh në titull: “Evropa në rrezik” (në origjinal frëngjisht: “Europe en péril”)!
Në teorinë e shkrimit kjo quhet: “in medias res”, që në shqip ka kuptimin: të hysh drejt në temë.
Autorët e letrës e quajnë veten pa kompleks “patriotë evropianë” dhe besojnë se të tillë ka shumë në tërë kontinentin, por edhe se ata janë të heshtur, prandaj u bëjnë thirrje të zgjohen për t’u bërë pjesë e një beteje të re për qytetërimin.

Nuk e fshehin gjithashtu as shqetësimin për zgjedhjet e radhës për Parlamentin Evropian, të cilat ka rrezik t’i fitojnë forcat që janë kundër vlerave për të cilat angazhohen ata: partitë e ekstremit të djathtë, çfarë është, fjala vjen, Fronti Nacional në Francë dhe simotrat e tij në vendet e tjera evropiane.

Ideja e Bashkimit Evropian lindi pas Luftës së Dytë Botërore si përgjigje ndaj çmendurisë totalitare të shekullit XX: nazizmit, në njërën anë dhe komunizmit stalinist, në anën tjetër, pra si përgjigje ndaj këtyre dy ideologjive totalitare, të cilave u paguan tagër të shtrenjtë popujt e Evropës dhe të mbarë botës.
Fitorja eventuale e shkatërruesve të këtyre vlerave – që janë vlerat e demokracisë liberale – në zgjedhjet e majit do të ishte dështim për të gjithë ata që besojnë në inteligjencën dhe kulturën dhe në trashëgiminë e etërve të Ëndrrës dhe Idesë së madhe Europiane.

Në letrën e 30 intelektualëve evropianë flitet edhe për braktisjen që po i bëhet Evropës së Bashkuar nga dy aleatët e mëdhenj të saj, njëri përtej La Manshit dhe tjetri përtej Atlantikut.
Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian (“Brexit”-i i shumëpërfolur) dhe kursi politik i presidentit aktual amerikan, e cenojnë jo vetëm Bashkimin Evropian si bashkim politik dhe ekonomik, por edhe kulturën dhe qytetërimin euroatlantik.

Nuk mund të anashkalohej në një tekst si ky, as roli destruktiv i Rusisë në zhvillimet e sotme në Evropë, sikundër edhe në botë. Federata Ruse dhe shefi i saj autokrat, nuk lënë gur pa luajtur për ta dëmtuar “rivalin” e vet evropian.
Tre çerek shekulli pas disfatës së fashizmit dhe tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, Evropa si ide, si vullnet dhe si strukturë ka rrezik të shpërbëhet para syve tanë.
Rënia e saj do të ishte humbje e madhe jo vetëm për vendet që janë pjesë e Unionit, por edhe për të gjithë popujt që aspirojnë të bëhen pjesë e tij, përfshirë edhe shqiptarët.

Bashkimi Evropian ka edhe gabimet e veta, thonë autorët e letrës. Le të na lejohet t’i nënvizojmë, a propos, dy sosh që nuk përmenden në tekstin e saj: qëndrimi burokratik i Brukselit ndaj vendeve që presin me dekada t’u hapen dyert e BE-së dhe paragjykimet e vjetra e të reja për popujt e “periferisë” së kontinentit, ku ne shqiptarët, mjerisht, jemi ndër të parët.
Nobelisti turk Orhan Pamuk, në deklaratën e tij pas publikimit të letrës, tha: “Pa idenë e Evropës është vështirë të mbrohen liria, të drejtat e njeriut, demokracia, barazia në pjesën time të botës”, duke shtuar se këto vlera nuk mund të imagjinohen “pa suksesin historik të Evropës” .
Pjesa e botës në të cilën jetojmë ne nuk është e largët në asnjë pikëpamje nga ajo e Pamukut.

Evropa na e bën më të lehtë mbrojtjen e këtyre vlerave, që janë qenësore për njerëzimin, sepse për ne ajo është jo vetëm paradigmë e lirisë, por edhe shpresë për të ardhmen.
Ja përse duhen dëgjuar dhe, pse jo, edhe mbështetur zërat që alarmojnë rrezikun që i kanoset Idesë sublime të Evropës dhe vlerave qytetëruese që përfaqëson ajo.
Detyrë e intelektualëve është ta paralajmërojnë të keqen dhe t’i kundërvihen asaj me mjetet që kanë në dispozicion: fjalën dhe mendjen.
Edhe i madhi Tomas Man në vitin 1934 kërkonte nga intelektualët evropianë t’i kundërviheshin marrëzisë së re të njerëzimit: përshkallëzimit të fashizmit.

Nuk e dëgjuan sa duhet, prandaj edhe ndodhi ajo që ndodhi: katastrofa që mori jetën e miliona njerëzve dhe shkatërroi edhe vetë Gjermaninë.
Manifesti i 30 intelektualëve evropianë, shkrimtarë, publicistë e të tjerë, secili më i madh se tjetri, është një kambanë alarmi.
Për kë bie kambana?
Kambana bie për ata që kanë vesh!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja e fundit e javës së 25-të, në Premier Ligë…