Për shërbime më të mira shëndetësore, mjekët kërkojnë kushte

05 tetor 2022 | 08:48

Gjendja e rëndë e krijuar në sektorin e shëndetësisë ka bërë që kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësi të paralajmërojë nënshkrimin e një udhëzimi tjetër administrativ për Licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj. Por ndryshe mendojnë mjekët të cilët punojnë në spitale e klinika. Sipas tyre, mjekët vendorë e të huaj kërkojnë së pari kushte për të ofruar shërbime cilësore.

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar nënshkrimin e një udhëzimi administrativ për Licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj i cili pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme.

Por Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së, dhe  anëtar i Komisionit për Shëndetësi, ka thënë për Radio Kosovën se problem në shëndetësinë kosovare është ikja e mjekëve jashtë vendit, e jo ardhja e mjekëve të huaj në Kosovë.

“Problemi në shëndetësinë e Kosovës është ikja e mjekëve nga Kosova jashtë vendit mirëpo nuk ka as kërkesa që mjekë nga vendet e Bashkimi Evropian të kthehen në Kosovë. Secili mjek në BE merr një pagë prej 5 mijë deri 6 mijë euro e të kthehet për një pagë 600 euro në Kosovë?!”, deklaroi Haxhiu.

Pleurat Sejdiu, nga Oda e Mjekëve të Kosovës, thotë se nënshkrimi i këtij udhëzimi nga kryeministri, nuk është real, sepse nuk ka gatishmëri të mjekëve të huaj apo nga diaspora që të kthehen me qëndrim të  përhershëm në Kosovë.

“Nëse është kjo që t’u lehtësohet bashkatdhetarëve tanë, kolegëve tanë mjekë dhe të punësohen në sektorin publik, për mua, nuk është reale, sepse nuk ka një gatishmëri për një shpërngulje dhe kthim të tyre me punë të përhershme në Kosovë”, shtoi Sejdiu.

Aurora Bollemberg, kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, thotë se fillimisht investimet duhet të bëhen, në kushtet e punës e pastaj t’u sigurohen paga të mira.

“Ky kthim i mjekëve edhe pse është në një numër të vogël, edhe pse është akoma një fenomen, duhet fuqizuar e lehtësuar duke krijuar kushtet e punës duke ua rritur rrogat”, tha ajo.

Deri më tani janë mbi 60 mjekë të cilët janë larguar nga SHSKUK-ja duke shkuar në sektorin privat, derisa numri më i madh i tyre janë anesteziologë. /RTK/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani është nisur për në Turqi. Nesër do të luajë…