Për vënie dhe heqje të vijave të kuqe vendosin qytetarët

01 tetor 2020 | 08:46

Anëtari i Kryesisë i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeverinë Hoti për marrëveshjen ekonomike të arritur me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator. Hoxha ka thënë se nga marrëveshja ekonomike është hequr pika e cila parashihte zotimin për njohjen reciproke. Sipas Hoxhajt, ky vlerësim nuk është vetëm i PDK-së, por edhe i qytetarëve.

“Ne kemi qenë shumë konkret sa i përket takimit në Uashington. Ne mendojmë se në atë marrëveshje ka qenë një element kyç, i cili ka paraparë një zotim për njohje të ndërsjellët. Këtë zotim Qeveria e Kosovës e ka refuzuar dhe nuk ka insistuar. Së dyti, unë në Kuvend e kam ngritur temën më pragmatike, kryeministri le të tregojë se cili është drafti i parë i marrëveshjes së arritur në Uashington. Cili është drafti i parë, cilat pika i ka shtuar Kosova, cilat pika i ka hequr, çfarë ka ndryshuar në tekst.

Mendoj se marrëveshja është më shumë tekst i prodhuar nga Amerika dhe sa herë Amerika ka qenë në krahë të Kosovës, Kosova ka fituar. Prandaj, këta nuk duhet të pretendojnë se marrëveshja në Uashington është sukses i tyre. Sukses i kësaj qeverie në marrëveshje është minishengeni, të cilën e kanë quajtur Jugosllavia e tretë, së dyti është Ujmani, dhe së treti është njohja nga Izraeli”, tha ai për Telegrafin.

Gjatë intervistës, Hoxhaj ritheksoi se nuk janë kundër dialogut, por kundër qasjes së qeverisë, që marrëveshja është rezultat i saj. “Ne nuk jemi kundër dialogut, ne nuk jemi kundër marrëveshjes në Uashington, por qeveria nuk do të duhej ta prezantojë si rezultat të saj, sepse nuk ka negociuar askush”.

Duke folur për përfshirjen e mundshme të PDK-së në qeveri, Hoxhaj thotë se ata do të hyjnë në qeveri vetëm kur të fitojnë zgjedhjet. “Vendimin e kemi marrë vitin e kaluar, ka qenë vullnet i qytetarëve që ne të shkojmë në opozitë. E kemi marrë mesazhin qartë, dhe PDK hynë në qeveri vetëm atëherë kur ne fitojmë zgjedhjet dhe udhëheqim qeverinë. Qëndrimi ynë mbetet ai që ka qenë. Por, nëse ka tema shtetërore, ne kemi një lloj bashkëpunimi, ne e kemi idenë se si të jemi në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Hoxhaj.

Sa i përket qëndrimit të LDK-së, që tashmë ka hequr vijat e kuqe për PDK-në, Hoxhaj pohon se ishte PDK-ja ajo që për shumë vite ka vendosur se kush duhet të jetë në pushtet.

“Historia e vijave të kuqe është që -jaPDK prej vitit 2007 ka qenë në pushtet deri në vitin 2019 dhe ne kemi vendosur se kë e marrim dhe kë e lëmë jashtë qeverisë. Për PDK-në, është e shëndoshë të mbetet në opozitë dhe të reflektojë. Vijat e kuqe i vendosin vetëm qytetarët”, theksoi ai.

Hoxhaj gjatë intervistës ka kritikuar ashpër qeverinë Hoti për punën e bërë për 100-ditëshin, duke thënë se ka filluar lodhshëm dhe ashtu po vazhdon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Infektologu Lul Raka ka thënë se numri i madh i…