Përdorimi i kartelës bankare trend në rritje edhe në Kosovë

01 tetor 2023 | 13:26

Përdorimi i kartelës bankare për të kryer pagesa dhe shërbime, ka shënuar rritje për 3.6 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo mënyrë e pagesës është duke u vlerësuar si më e lehtë, e sigurt dhe më e shpejtë. Përveç kësaj, nga Shoqata e Bankave të Kosovës, kanë thënë se kartelat bankare janë thelbësore për blerjet online dhe udhëtimet ndërkombëtare.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar se avancimi në aspektin digjital dhe atë të pjekurisë së një shteti, është shfrytëzimi sa më i madh i kartelave.

Gërxhaliu ka potencuar se përdorimi i kartelës bankare për të kryer shërbime, është ndër format më stabile dhe të sigurta, derisa shtoi se pagesat cash lënë hapësire për falsifikim dhe kontrabandë.

“Është ndër format më të sigurta, më të shpejta dhe më stabile. Sa më tepër qarkullim të cash-it nëpër duar të qytetarëve, shumë më tepër ka informalitet dhe kontrabandë dhe kjo e dëmton Kosovën”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndërsa nga Shoqata e Bankave të Kosovës, kanë thënë se pagesat digjitale reduktojnë fenomenin e falsifikimit të parasë dhe se eliminojnë nevojën për të mbajtur sasi të mëdha parash.

Në anën tjetër nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kanë thënë se të gjitha brendet e kartelave të lëshuara në Republikën e Kosovës janë ndërkombëtare dhe si të tilla lëshohen sipas standardeve më të mira ndërkombëtare të sigurisë. /KP

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas sulmit terrorist…