Përfaqësimi i Shqipërisë në Eurovision, miksim i gjithçkaje dhe i asgjëje

13 maj 08:07

Nga: Eriona Rushiti

Sigurisht që jo të gjitha shtetet arritën të shkojnë në finale dhe nuk është fundi i botës. Me aq sa i kam ndjekur këngët e Eurovisionit këtë vit, si dhe performancat a natës së parë, mendoj që kualifikimet për në finale ishin të pritshme dhe të drejta.

Këngë të stileve të ndryshme, por mbi të gjitha përfaqësime shtetesh me koncepte të qarta për atë që prezantonin.

Nuk vura re ndonjë ndasi politike, apo gjeopolitike. Sepse, këngët që nuk kaluan ose ishin të vjetra në stil, ose nuk u kënduan mirë sepse këngëtarët nuk e përballuan skenën siç duhej, ose si në rastin tonë ku të gjitha komponentët e një kënge çaluan.

Të përfaqësosh një shtet (në të gjitha fushat e artit, sportit etj.) është fat dhe përgjegjësi, sepse jo çdokujt i vjen kjo mundësi.

Të marrësh pjesë në një garë kënge, në radhë të parë duhet të kesh këngën, pastaj interpretimin, e në fund performancën. Sikur njëra nga këto të mos jetë në vendin e duhur, ajo skenë e madhe të nxjerrë zbuluar. Dhe, ne nuk kishim asnjërën nga këta komponentë:

– Kënga ishte një miksim i gjithçkaje dhe i asgjëje.

– Interpretimi nxori në pah mungesën e regjistrit të poshtëm (vokal) dhe pamundësi për të kërcyer e kënduar njëkohësisht (qoftë edhe atë material që më shumë është krijuar si këngë stadiumi, me britma, me numra e fjalë pa asnjë lidhje logjike me njëra-tjetrën)

– Dhe, së fundmi performanca që kishte si qëllim vetëm lëvizjet joshëse për një publik te orëve të vona të natës.

Të gjitha këto komponente dukej se ishin bërë “me vesh”, si i themi ne nga anët tona. Këngë me një strukturë arna-arna, ku është gjetur vetëm një motiv i kapshëm për veshin dhe e gjithë pjesa tjetër e mbushur me pasthirrma agresive athua se po shkonim në luftë. Një tekst që ka brenda edhe “xhamadanin vija-vija” edhe fjalën “regret”, edhe “toca-tocalo” edhe “ta marrsha” edhe “ma ke bo jetën si lojna, avion” … e nuk mbaj mend çfarë ka brenda tjetër

Nisur nga kjo, edhe performanca sigurisht që nuk mund të ketë as koncept e as fabul, kështu që do i thërrasësh në ndihmë ndonjë pjesë intime për të tërhequr vëmendje e për të justifikuar titullin e këngës “Sekret” që as atë nuk e justifikoi, sepse sekreti doli sheshit

Edhe njëherë e theksoj që përfaqësimi i një shteti është mbajtja e atij flamuri në dorë dhe jo qëllimi për të bërë sa më shumë ndjekës në profilin tënd. Edhe pse Ronela bëri më të mirën e mundshme, ka bërë aq sa mund të bëjë ajo për veten e saj, por jo për shtetin që përfaqëson, sepse ne dimë akoma të ndërtojmë një vijë të bukur melodike, ne dimë akoma të ndërtojmë një mesazh kënge apo të rendisim ca vargje, ne dimë akoma të këndojmë të vetëm në skenë, qoftë edhe me një ndriçim modest, e të emocionojmë me vokal … Ne dimë akoma të shijojmë muzikë dhe kur them ne, e them si për brezin tonë (profesionist, apo jo), por edhe për brezin e djalit tim që më tha: “Shumë më bukur Moldavia o ma, me atë folkun e pastër, sesa ne me këtë këngë”.

Kam shumë për të folur e treguar sesi punojnë shtetet në drejtim të përfaqësimit të tyre, qoftë edhe ne këtë Eurovisionin që thuhet se nuk është më si dikur, por që në fund ka një vlerësim për të gjithë. Dhe, peshën e vlerësimit e marrin juritë profesioniste të secilit shtet, si dhe votat e publikut.

Jam e sigurt që Shqipëria nuk ka marrë vlerësim të jurive profesionale, por mund të ketë pasur vota publiku, e kryesisht të fanatikeve e fansave të përfaqësimit tonë (sepse e bëjnë çdo vit me devotshmërinë më të madhe dhe në radhë të parë, sepse e duan Shqipërinë), por të cilat nuk mjaftojnë për ta kaluar këtë garë.

Po kthehem edhe njëherë në fillim ku thashë nuk është fundi i botes dhe se Ronela do të vazhdojë jetën e saj artistike për fansat që e ndjekin gjithmonë, por edhe për ata fansa të shtuar këto kohë që më natyrën e saj karizmatike i ka mbajtur gjallë që nga koha e shpalljes si fituese e festivalit.

Por, kur paraqitesh në Eurovizion nuk është njësoj si të bësh një klip e të marrësh ca klikime, nuk është e njëjta gjë me të kënduarit në një shesh të mbushur me të rinj. Jo me kot u censuruan disa foto të Ronelës në provën e saj të parë. Organizatoret e Eurovizionit i kujtuan edhe njëherë ekipit shqiptar faktin që ky është një eveniment familjar. Pra, kemi të bëjmë me një shou ndërkombëtar dhe jo individual.

Me këtë nuk dua të them se jam kundra ekstravagancës apo thyerjes se disa tabuve shqiptare, por të gjitha këto duhen bërë me art, duan eksperience skenike, duan krijimtari e mbi te gjitha duan dinjitet artistik e jo banalitet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Bernard Zotaj Prej gjithë udhëtarëve britanikë që erdhën ose…