Përgjegjësia për shtetin dhe një hero tragjik

01 janar 2024 | 11:47

Shkruan: Dr. Edita Tahiri, ish-zëvendëskryeministre dhe kryenegociatore

Kur shtetet ofrojnë kushte të mirëqenies, siguri, prosperitet për popullin e tyre si dhe avancim në marrëdhënie ndërkombëtare atëherë ekziston përgjegjësia për shtetin nga ana e qeverisë që, sipas Kushtetutës, obligohet për këtë përgjegjësi. Por Kosova nuk e pati dhe nuk e pa përgjegjësinë për shtetin nga qeveria aktuale gjatë këtij viti që e lëmë pas.
Në fakt, Kosova ishte e nënshtruar, e sulmuar, e ndëshkuar dhe e dështuar gjatë tërë vitit 2023. Qeveria dhe Kurti si kryeministër vunë pushtetin para shtetit. Me populizëm, dinakëri dhe dyfytyrësi, që i mundësuan pushtet dhe më pas duke shkelur të gjitha premtimet e bëra ndaj votuesve, humbi shpresa në sytë e atyre që i besuan, ndërsa zhgënjimi është duke u rritur në përmasa dramatike.
Dështimi më i madh ishte përballja me armikun serb në dialogun e Brukselit. Kurti e dështoi Kosovën, bëri dështim historik, duke bërë marrëveshje me Serbinë pa njohje reciproke në shkurt të 2023-s. Edhe pse e kishte letrën e presidentit amerikan Bajden, e cila thoshte se dialogu i Brukselit ka në qendër njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kurti nuk ishte i zoti ta realizojë këtë përkrahje të fuqishme nga shteti më i fuqishëm në botë. Ndonëse bëri çmos ta mbajë të fshehur atë marrëveshje, por edhe të gjitha të tjerat, me logjikën e strucit, mendoi se nuk do të dalin të vërtetat e dështimit të tij.
Çka është më e keqja, dogji Kuvendin e Kosovës mbi bazën e kundërshtisë së asociacionit që i solli pushtet, madje 50 % pushtet, ndërsa pastaj e pranoi asociacionin, e mbajti të fshehur gjatë tërë kohës deri në fund të tetorit 2023 kur e pranoi hapur se kishte pranuar ta bëjë draftin e statutit të asociacionit në Bruksel, në takimin e ndërmjetësve të ri të dialogut të Brukselit, Macron, Scholtz dhe Meloni. E pranoi hapur gjoja sikur asnjëherë nuk kishte qenë kundër saj. Me një hipokrizi tipike për të vazhdoi të flasë për këtë çështje. Ndërkohë me një diskurs lufte u mundua të krijojë psikozën e frikësimit të përkrahësve të vet, për t’i bërë që të mos shohin qartë kompromiset e mëdha që po i bënte ndaj armikut serb.
Por jo vetëm kaq, Kurti jo vetëm që pranoi asociacionin, por i dha autonomi pakicës serbe në Kosovë përmes konceptit të “vetëmenaxhimit” duke iu ofruar vetëqeverisje lokale serbe për serbët pakicë në Kosovë. Termi vetëmenaxhim nuk ekziston në Kushtetutën e Kosovës, pra është një parim kundër-kushtetues.
Kur ndërkombëtarët, respektivisht BE-ja si ndërmjetëse, shpalosi draft-statutin para liderëve të opozitës dhe para neve që kishim rast ta shohim, dolën në shesh kompromiset e mëdha të Kurtit. Ai, në fakt, me populizmin e vet e kishte pasur plotë gojën sovranitet, ndërsa duke përfshirë Rezolutën 1244 në statutin e asociacionit, ai ia kishte dorëzuar sovranitetin UNMIK-ut dhe Kosovën e kishte lënë pa sovranitet në raport me asociacionin e pakicës serbe.
Kosova sovrane dhe e pavarur që nga 2008, e konfirmuar ligjërisht nga Gjykata Ndërkombëtare për drejtësi në 2010, erdhi në situatë ta humbë sovranitetin nga një kryeministër i padijshëm, i paaftë, por edhe me mangësi strategjike që mbeten të panjohura për arsyet e vërteta. Si autore e shkrimit nuk më takon mua t’i them arsyet, por analistët duhet të hulumtojnë dhe ta thonë hapur. E vërteta e hidhur është se Kurti nuk mbrojti për interesat shtetërore dhe kombëtare në dialogun e Brukselit. Një bashkëpunëtor i ngushtë i Kurtit thoshte dikur: “Kush e pranon asociacionin është tradhtar”, mirëpo tash ka mbyllur gojën. Sepse hipokrizia është tipike e të tillëve.
Tutje sovraniteti shtetëror i Kosovës u cenua edhe me faktin se statuti i asociacionit parasheh mekanizmin e “arbitrazhit” që nënkupton se kur asociacioni i pakicës serbe ka mospajtime me Qeverinë e Kosovës, atëherë BE-ja i zgjidh këto konteste, pra BE-ja në këtë rast bëhet “sovranja” e shtetit të Kosovës, që e fituam me luftë, diplomaci dhe gjakun e derdhur të shqiptarëve të Kosovës. Në një mënyrë asociacioni i jepet si një “ministri e jashtme e vogël” me faktin se do të ketë qasje në BE, sipas draft-statutit të pranuar nga Kurti.
Me fjalë të tjera, statuti i asociacionit e krijon “republika srpskën” në Kosovë.
Po pse të habitemi për këto dështime të Kurtit? Kurti është ai që nuk dha asnjë kontribut për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, nuk mori pjesë në luftën e UÇK-së, as në luftën paqësore të LDK-së, ndonëse e kishte moshën e duhur për të qenë pjesë. Ai u mjaftua me protesta.
Në të njëjtën kohë premtoi reciprocitetin për shqiptarët e Luginës e Preshevës, por nuk e bëri, e dështoi, sepse Marrëveshja bazë në mes të Kosovës dhe Serbisë, e 27 shkurt 2023, nuk përmban reciprocitetin.
Po, në fakt, Kurti tha “nuk shkoj në dialog me Serbinë pa kërkuar Serbia falje për gjenocidin në Kosovë, nuk bëj kompromise, nuk e pranoj asociacionin”, e shumë të tjera premtime që dolën boshe. Në një intervistë me Grida Dumën në “Top Story”, në qershor 2023, kur i thashë se Kurti ishte i kufizuar mes populizmit dhe shtetit, duke vënë pushtetin para shtetit, ai i harroi dhe i la të gjitha premtimet ndaj atyre të shkretëve të LV-së që i besuan. Grida e përmblodhi bukur politikën populiste. Ajo tha: “Njëherë po po po, pastaj jo jo jo”.
Jo vetëm kaq, Kurti ishte ai që premtoi bashkimin kombëtar pastaj e pranoi se nuk mundet ta bëjë, madje shkoi në Lezhë, te varri i Skënderbeut tha publikisht: “Nuk mund ta bëj dot bashkimin kombëtar se nuk e lejon Kushtetuta”. Aq i besuan atij sa nëpër Shqipëri i krijuan edhe disa degë të LV-së; tani kanë mbetur rrugëve disa që u bënë kryetarë të këtyre degëve.
Mirëpo, më e rëndë është ndëshkimi amerikan për Kosovën, pasi që Kurti shkeli premtimet dhënë amerikanëve. Amerika u dha përkrahje zgjedhjeve lokale në pjesën veriore të Kosovës sepse ato ishin legale. Mirëpo Amerika kërkoi nga Kurti që hyrja e kryetarëve të zgjedhur në zyrat e tyre komunale të bëhej në mënyrën “teknike” dhe jopolitike. Kurti e bëri të kundërtën, e realizoi me manifestime politike hyrjen e kryetarëve në zyrat e tyre. Në vend se t’u kërkojë falje amerikanëve, Kurti vazhdoi me populizëm t’u hedhë hi syve të militantëve të vet, duke mos treguar se çfarë shkelje bëri. Pas kësaj shkelje që ua bëri amerikanëve, pasuan ndëshkimet e Amerikës ndaj Kosovës. Amerika ndëshkoi Kosovën jo pse deshi, por sepse Kurti e meritoi. Ishte ky një dështim kombëtar dhe strategjik i Kurtit. Amerika, aleatja jonë strategjike, me të cilën kishim krijuar aleancën strategjike në vitin 1992, atëherë kur presidenti Bush kërcënoi Serbinë e Millosheviqit, se nëse përshkallëzon dhunën në Kosovë, Amerika do të intervenojë, e njohur si “Kërcënimi i Kërshëndellave”. Kjo aleancë strategjike në mes të Kosovës dhe Amerikës, e cila u arrit falë diplomacisë së LDK-së, Ibrahim Rugovës dhe diplomacisë sime si ministre e Jashtme e Kosovës gjatë dhjetë vjetëve të okupimit. Pra aleancën që e krijuam plot 31 vjet dhe e kultivuam me partneritet, erdhi një kryeministër i Kosovës që bëri që Kosova të ndëshkohet nga Amerika, aleatja kryesore dhe strategjike e Kosovës dhe kombit shqiptar. Kosova u ndëshkua dhe nga BE-ja për të njëjtat gabime të Kurtit. Tash kur kemi hyrë në vitin 2024, Kosova është ende e ndëshkuar. Ndërsa diplomacia jonë ishte dhe është në gjumë, as nuk arriti të bindë Amerikën dhe BE-në që t’i heqin sanksionet ndaj Kosovës, ndërkohë që Serbia mbetet e pandëshkuar edhe pse sulmoi Kosovën. E mos të flasim që asnjë njohje nuk i erdhi Kosovës qysh se ka ardhur në pushtet kjo qeveri. Pesë vendet mosnjohëse të BE-së nuk lëvizën, dhe s’kishin si, për arsye se diplomacia jonë ishte e paaftë. Ndërkohë dy figurat e diplomacisë, presidentja dhe ministrja e Jashtme, dështuan në rolin e tyre kushtetues, mbetën pa zë si në Kosovë ashtu dhe në diplomaci, sepse i dominoi pushteti politik i Kurtit, sepse pranuan të vijnë në pozita të larta shtetërore me votat e tjetërkujt, që u kushtoi me dështime në funksionet e tyre.
Po ashtu, Kosova u nënshtrua dhe u sulmua gjatë vitit 2023. U dridh “Banjska” Kurti në mënyrë nënshtruese menjëherë e pranoi asociacionin, jo me gojën e vet, por kishte urdhëruar presidenten e cila, pas sulmit në Banjskë nga Serbia, deklaroi: “Me Amerikën po bëjmë asociacionin”. Pas saj edhe Kurti hapur foli se kishte pranuar asociacionin dhe konfirmoi se u kishte thënë ndërmjetësve të BE-së, Macron, Sholtz, Meloni (pas shkarkimit të Borellit dhe Lajçakut), se ishte i gatshëm ta nënshkruajë statutin e asociacionit, madje pa pyetur fare Kuvendin e as opozitën.
Në fakt tensionet e krijuara në veri erdhën më shumë nga nevoja e Kurtit për të krijuar mjegull para kompromiseve për asociacionit. Kurti zgjodhi veriun si terren apo si mundësi për ta rritur pak patriotizmin e vet para se t’i bëjë kompromiset historike. E filloi që nga zbatimi i marrëveshjes për targa, të cilën e kisha arritur unë si kryenegociatore. Por nuk e bëri zbatimin. Përkundrazi, dështoi më keq sepse pranoi lejet e njoftimit të strukturave paralele serbe. Më pas, pas reagimit të pakicës serbe të manipuluar nga Serbia e Vuçiqit, vendosjes së barrikadave, tensionet nuk u ndalën, vazhduan për të keq. Serbia djallëzore armike shfrytëzoi këtë situate për t’i tërhequr serbët e veriut nga institucionet e Kosovës, të cilët bojkotuan zgjedhjet lokale edhe sot e kësaj dite.
Pra, në vend të rivendosjes së sovranitetit shtetëror në veri të Kosovës, që Kurti e “trumpetonte” e të cilën e kishim arritur ne qeveritë e kaluara përmes dialogut të Brukselit, Kurti, në fakt, e la veriun pa sovranitet dhe me vendosje të një protektorati të shtuar të KFOR-it atje.
Sulmi i “Banjskës” ishte sulm hegjemon i Serbisë ndaj Kosovës. Serbia pati dy qëllime: ta arrijë asociacionin dhe ta provojë ndarjen e veriut në mënyrë që t’i thoshte botës nuk ka qetësi e stabilitet në veri ndaj duhet të ndahet. Serbia e arriti qëllimin e parë, sepse Kurti menjëherë pranoi hapur asociacion. Mirëpo, Serbia nuk e arriti as kurrë nuk do ta arrijë ndarjen e veriut, sepse Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe unitar e kemi arritur me luftë e gjak të derdhur. Nuk e lejojmë, e mbrojmë me të gjitha mjetet sepse ende jemi gjallë, populli dhe ne që e krijuam shtetin e Kosovës. S’ka kush që mund dhe as që guxon ta cenojë shtetin e Kosovës dhe integritetin territorial të tij.
Një ditë po bisedoja me një mik që kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës (Muhamet Mavraj). I thashë jam duke bërë një shkrim me temën “Kosova, e nënshtruar, e sulmuar, e dështuar”. Ai më tha shtoje fjalën “e pusuar”. Dhe kishte të drejtë.
Të gjitha dështimet e Kosovës nga ana e Kurtit populist, pa vizion dhe pa strategji, u ngjajnë dështimeve të një “heroi tragjik”, për të cilët Aristoteli ka dhënë definicionin më të saktë. Aristoteli thotë: “Një hero tragjik është një lloj personazhi që merr simpatinë e publikut, por ka të meta ose bën gabime që përfundimisht çojnë në rënien e tij”. “Një njeri nuk bëhet hero derisa ta shohë thelbin e dështimeve të tij”, thotë Aristoteli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 do…