Përkujtohet 29-vjetori i masakrës së Malishevës

30 janar 2019 | 13:05

Me rastin e 29-vjetorit të masakrës së Malishevës, të mërkurën janë bërë homazhe në vendin e rënies, përkatësisht në pllakën e ngritur për dy të vrarët, Ali Kryeziu dhe Hysni Mazreku, si dhe janë bërë homazhe në varrezat e tyre në Malishevë dhe Bubavec.

Homazhe kanë bërë kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar nga kabineti qeveritar komunal, kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, i shoqëruar edhe nga anëtarë të kuvendit, ish-drejtuesit e komunës në vitin 1990.

Më 30 janar të vitit 1990, një ditë pas protestës së madhe në Malishevë, forcat policore kanë shtënë mbi popullatën e Malishevës, ku janë vrarë Ali Kryeziu dhe Hysni Mazreku, ndërsa janë plagosur dhjetëra të tjerë në Malishevë dhe në katër drejtimet, në hyrje dhe dalje të Malishevës.

Ngjarja e 30 janarit të vitit 1990, është një prej ngjarjeve që shënon edhe kthesë të madhe në institucionet e asaj kohe, pasi për herë të parë është bërë një reagim dhe kundërshtim nga ana e institucioneve, lidhur me vrasjen e qytetarëve të pafajshëm nga regjimi.

Krahas reagimit nga niveli komunal, është reaguar ashpër edhe në Kuvendin e Krahinës Autonome të Kosovës, nga përfaqësuesit e Komunës së Malishevës, e që më vonë, është bërë edhe suprimimi i statutit të Komunës së Malishevës dhe fshatrat e Malishevës, janë shpërndarë në katër komuna.

Po ashtu, kjo ngjarje, krahas reagimit institucional, kishte bërë jehonë edhe në arenën ndërkombëtare, dhe të gjitha televizionet dhe agjencitë e lajmeve në tërë botën, kishin njoftuar për këtë ngjarje dhe për reagimin e institucionit të Komunës së Malishevës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Surpriza në ndeshjet e NBA-s, me Lakers që u mundën…