PËRKUJTOHET NË NJËVJETORIN E NDARJES NGA JETA NASER SHALA – KOMANDANT “FTYRA”

28 prill 2026 | 18:42

Në organizim të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe të organizatave të dala nga lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), dega në Malishevë, është mbajtur një akademi përkujtimore me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të veprimtarit, luftëtarit dhe komandantit të UÇK-së, Naser Shala – Komandant “Ftyra”.

Në këtë akademi, ku morën pjesë qytetarë dhe bashkëluftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare, u nderua jeta dhe vepra e tij, duke u theksuar kontributi i çmuar për çlirimin, lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Në ceremoninë përkujtimore foli kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, i cili vlerësoi lart figurën e Komandant “Ftyrës”, duke e cilësuar atë si simbol të përkushtimit dhe sakrificës për atdheun dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Bashkëluftëtari i tij, Fatmir Limaj – Komandant “Çeliku”, ndau kujtime nga periudha e luftës dhe e pasluftës, duke theksuar se angazhimi i Naser Shalës ka qenë i domosdoshëm për kohën në të cilën veproi. Ai vuri në pah kontributin e tij në institucionet e shtetit, duke shtuar se kujtimi i tij rikthen amanetin e brezit të luftës: ruajtjen e lirisë, forcimin e shtetit dhe bashkimin shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve.

I pranishëm ishte edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili theksoi se figura e Naser Shalës mbetet shembull i guximit, besnikërisë dhe dashurisë për atdheun, duke e vendosur gjithmonë interesin kombëtar mbi gjithçka.

Në emër të OVL-së së UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu u shpreh se vepra e luftëtarëve të lirisë mbetet udhërrëfyes për brezat që vijnë.

Kontributi i Naser Shalës u trajtua edhe në aspektin historik nga historiani Ibrahim Gashi. Ndërkaq, në këtë akademi, gjenerali Agim Çeku i dorëzoi Bislim Shalës, djalit të të ndjerit, uniformën e veteranit të UÇK-së.

Në këtë përkujtim morën pjesë edhe familjarë të dëshmorëve dhe figurave të njohura kombëtare, përfshirë familjarë të Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, si dhe personalitete të jetës politike, ushtarake dhe shoqërore.

Programi u shoqërua edhe me pika artistike kushtuar jetës dhe veprës së Naser Shalës. Si premierë u interpretua kënga “Legjendë e Gjallë”, e shkruar nga bashkëluftëtari Rexhep Selimi, si dhe u interpretua një recital artistik.

Në kuadër të kësaj dite përkujtimore u bë edhe zbulimi i një pllake përkujtimore në fshatin Banjë, në nderim të jetës dhe kontributit të Naser Shalës për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Në fund, në emër të familjes, Bislim Shala falënderoi të gjithë pjesëmarrësit.

Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Naser Shalës – Komandant “Ftyra”!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…