Përkundër Kurtit, Mustafa kërkon që masa e reciprocitetit te koordinohet me SHBA-në

21 shkurt 2020 | 19:47

Albin Kurti insiston se duhet të ndodhë reciprociteti me shtetin serb, pavarësisht paralajmërimit të SHBA-së që kjo të mos ndodh. Në anën tjetër partneri i tij qeverisës, Isa Mustafa, thotë se krejt ky proces duhet të bashkërendohet me shtetin amerikan.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se bashkërenditja me SHBA-në është thelbësore, kur është pyetur se a e përkrah vendosjen e reciprocitetet pas presionit amerikan që kjo të mos ndodhë.

“Themelore është që procesi të bashkërenditet me SHBA-të, si partner strategjik i yni.  Çështjet e tjera mbesin modalitete”, ka thënë Mustafa në një përgjigje për Express.

Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës pjesë të marrëveshjes për qeverisje e kanë pasur zëvendësimin e tarifës ndaj produkteve serbe me masa të reciprocitetit.

Mirëpo Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin pjesërisht këtë pikë të marrëveshjes. Kërkojnë heqjen e taksës, por i thonë jo reciprocitetit.

Në anën tjetër, Zyra për Media e Vetëvendosjes ka thënë se për çështjen e reciprocitetit qëndrojnë pas asaj që janë marrë vesh me LDK-në.

“Do të zëvendësojmë tarifën 100% dhe do të zbatojmë reciprocitetin e plotë tregtar me Serbinë sikurse me secilin shtet. Tarifa ka qenë vendim i qeverisë së kaluar. Ne nuk jemi për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve”, ka thënë Kurti ditë më parë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeredaktori i IllyriaPress, Ruben Avxhiu, i ka dalë në mbrojtje…