Përpjekje për të shpupuritë rrënjën e problemit

03 nëntor 2022 | 11:32

Shkruan: Teuta S. Haxhimusa

Pse një vajzë infermiere dështoi ta kryej detyrën e saj njerëzore dhe profesionale? Nëse sistemi edukativo-arsimor, si produkt final ka edukatën, brumosjen e sjelljeve të shëndetshme dhe shkathtësitë e profesionistëve, atëherë logjikisht po i bie që ai sistem të ketë dështuar në këtë rast!

Sistemeve institucionale të shtetit tonë u mungojnë vlerat e zbatuara në praktikë, u mungon cilësia, mekanizmi i kontrollit dhe përmirësimit të vazhdueshëm. Si të tilla, nuk janë ende në gjendje jo vetëm të parandalojnë fenomenet negative shoqërore që i kanosen shoqërisë, por edhe ta drejtojnë, orientojnë shoqërinë drejt realizimit të potencialit maksimal shoqëror dhe mirëqenies. Institucionet tona ende janë konfuze, pa strategji kombëtare për natalitetin, mbrojtjen e nënës së re dhe motivimin e saj për të lindur. Çdo ditë takoj nëna të reja, të punësuara që frikësohen të sjellin fëmijë në jetë, sepse nuk kanë siguri psikologjike, financiare, e profesionale.

Institucionet tona janë ende konfuze, pa strategji të qartë, e pa veprime konkrete rrënjësore për ta ndryshuar sistemin arsimor që nuk po i prodhon shkathtësitë e duhura të tregut të punës. Psh, vajzat nga Peja treguan mungesën e etikës profesionale, shkathtësive të empatisë, inteligjencës emocionale. Sa shumë e shumë mangësi kemi në sistemin tonë të përgjithshëm institucional e shoqëror, në të gjitha nivelet. Këto janë tema në vete.

Por, por…. shtrohet pyetja, si kemi mbijetuar, ruajtur vlerat edhe në kohëra më të errëta, si ndërtuam sisteme paralele për të mbijetuar nën okupim? Familja shqiptare, ishte thelbi, qeliza e imunitetit tonë kombëtar, ishte shkolla më e madhe e njeriut tonë ndër dekadat më të errëta, prandaj kemi mbijetuar. Mirënjohje e thellë për nënat e gjyshet, që pa pasur doktoratura e diploma arritën t’i bartnin e mësonin vlerat njerëzore fëmijëve brez pas brezi.

Gjyshja ime i kishte thënë nënës sime, e nëna ime më ka thënë mua “nuk ban me marrë shtalbin në arën e huaj, se është haram”, “nuk ban me hanger bukë në sokak me të pa fëmijët e tjerë, se lakmojnë”, “ nuk ban me i ngjitë shkallët tuj kërsitë papuqet kur dikush po flen”, “hallat, bijat duhet mi dashtë nanës”, të vjetrit duhet mi respektu”. Këto këshilla, këto vlera nuk ishin boshe, teorike, por të praktikuara nga vete ato, andaj fëmijët i merrnin pavetëdijshëm.

Por, pas luftës, çfare na ndodhi? Çfare po i ndodhë familjes? Çfarë po ndodhë me nënat? Mendoj, se familja është e goditur nga të gjitha ndryshimet e mëdha socio-ekonomike të pasluftës, duke mbajtur edhe me vete traumën e papërpunuar të luftës, si bagazh shtesë. Shembja e roleve patriarkale ka ofruar mundësinë, që gruaja dhe burri të mund bashkarisht të jenë hisedarë të barabartë të udhëheqjes së familljes.

Duke u hapur shumë dritare mundësisht për zhvillim individual, shkollim, karrierë, etj., si për burrin dhe gruan, padyshim pasojnë edhe vështirësitë, streset, dinamizmi, mungesa e kohës për t’i arritë të gjitha. Në këtë vrapim përpara, disa gjëra po mbesin pas. Ato vlerat e taditës sonë, po dështojnë të barten tek brezat e ri nga nënat e reja. Familjet po mbyllen në guaskat e tyre pas orareve të punës. Mysafirët që sillnin dikur gjallëri janë rralluar. Edhe hallat vijnë rrallë, edhe prindërit shihen, si barrë.

Këtu qëndron rrëshqitja nga vlerat. Liria për të qenë vetë, nuk është liri, është VETMI në liri. Lirinë, marrjen e mundësive të barabarta disa femra e keqkuptojnë (jo të gjitha), si mundësi për tu kujdesur dhe jetuar veç vetë, ne emër të emancipimit, zhvillimit individual.  Kjo është rregulli NJË! Por, rregulli DY është, se nuk mund të realizohet potenciali individual pa arritjen e pjekurisë për të ndërverpruar me të tjerët. Ndërveprimi njerëzor është nevojë njerëzore eksistenciale. Liria ka përgjegjësi. Së pari, ndaj familjarëve, pastaj rrethit, komunitetit e gjithë njerëzimit.

Nuk është e shëndetshme të mos e duash familjen e burrit, se ata janë familja e fëmijëve të tu. Një nënë, që nuk e do dhe respekton familjen e burrit, përçon çdo çast grimca energjie te fëmija i saj, se ashtu duhet vepruar. Duke mos ia dashur rrënjën e familjes së burrit, minon rrënjën e vetëbesimit të fëmijës së saj. Duke mos i respektuar vjehërrit, prindërit i mëson të njejtat vlera fëmijës së saj. Duke mos respektuar hallat, kunetët e privon fëmijën nga dashuria e tyre dhe e bën fëmijën të mbyllur dhe të pasigurtë. Familja e gjerë është laboratori i parë i jetës për fëmijën. Liria ka përgjegjësi. Femrat e tilla mund të mendojnë, se familja dhe koha për familjen pak më të gjerë është veç pengesë në arritjen e saj, në lirinë e saj indiviudale, por më vonë do ta kuptojnë, ndoshta me vonesë, se familja është baza e çdo suksesi, ushqim i shpirtit dhe dashurisë njerëzore.

Ky konceptim i gabuar i lirisë individuale është shumë i ngushtë, sipërfaqësor, arrogant dhe tejet egocentrik. Njeriu ka kapacitet edhe ta dojë e zhvillojë veten, por edhe t’i do dhe të lidhet emocionalisht shëndetshëm edhe me anëtarët e të dy familjeve (burrit dhe gruas në këtë rast). Kjo shkathtësi quhet në gjuhën profesionale, inteligjencë emocionale, kur ti jo vetëm që arrinë t’i njohësh emocionet e tua, por edhe t’i menaxhosh dhe korrektosh, por gjithashtu edhe të menaxhosh dhe mirëmbash relacionet me njerëzit e tjerë.

Këto nëna që kanë konceptin e lirisë së tyre kaq të ngushtë, vetëm deri tek hunda, po qe se e kanë pastaj edhe projektimin e ëndrrave të tyre të parealizuara tek vajzat e tyre, të  tipit “ Unë kam hjekë, e ti bija jem mos ta nin”. Ky shabllon edukimi mbase ka mundur të sjell prototipet e vajzave, si Aurora.

Nuk thuhet kot, femra është shtylla e kombit. Ajo duhet të mirë-edukohet dhe emancipohet rrënjësisht me vlerat më të mira universale njerëzore. E sa afër i kemi ato vlera, te nënat e gjyshet tona. Mëkat dhe dëm kombëtar t’i humbim.

Duke provuar ta shpupurishë këtë rrënjën e problemit, që është bërë dukuri pushtuese në shoqërinë tonë, mendoj se do të isha shumë e lumtur, po qe se do t’i mbaj në ekzistencë, që t’i bart tek bijat e mia vetëm gjysmën e vlerave njerëzore që më mësoi nëna ime!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kim Kardashian ka një mesazh për fansat e Kanye West.…