Përurohet monografia për dëshmorin Bekim Hysenaj
Sot në Shtëpinë e Kulturës në Drenas, me rastin e 24-vjetorit të rënies, është përuruar monografia “Bekimi, luftëtari i bekuar” e autorit Afrim Hysenaj kushtuar dëshmorit të kombit Bekim Hysenaj.
Redaktori i librit, Adem Gashi, tha se Bekim Hysenaj është një shëmbëlltyrë unike e luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili, për çlirimin e vendit, bënte luftë edhe në Drenicë, edhe në Dukagjin. “Ai ishte kudo ku kërciste një pushkë lirie. S’u trembej betejave. Trimëri pati treguar edhe në demonstrata, pa filluar lufta. Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, ka thënë Gashi.
Ndërsa recensenti i librit, Nusret Pllana, i cili ka qenë bashkëluftëtar i dëshmorit Hysenaj, evokoi kujtime nga luftimet e Bekim Hysenajt në Dukagjin. “Beka ishte shqiponjë. I shkathtë, i shpejtë, i vendosur, trim. S’i gjendej kund një shoq”, ka rrëfyer Pllana.
Edhe bashkëluftëtarë të Bekim Hysenajt, nga Drenica dhe Dukagjini, Isë Xhemajli, Naim Baza, Halil Berisha, para qindra të pranishmëve rrëfyen disa ndodhi nga fushëbetejat e dëshmorit Hysenaj.
Të pranishmit i përshëndeti me një fjalë rasti edhe vajza e dëshmorit, Donika, e cila shprehi falënderim për ta dhe për autorin e librin për nderimin që ia kanë bërë babait të saj.
Ndërsa autori i librit, Afrim Hysenaj, foli për përmbajtjen e librit, për idenë e realizimit të tij dhe për bashkëpunimin me të gjithë ata që e kanë ndihmuar për përgatitje.
Fjala e autorit të librit:
E nderuar familja e heroit të kombit Bekim Hysenaj
Të nderuara familje të dëshmorëve
Të nderuar invalidë, veteranë dhe shoqata të dala nga lufta e UÇK-së
Të nderuar bashkëluftëtarë nga Dukagjini, Drenica dhe më gjerë
E nderuar familje Deliu dhe Muçolli
Shumë të nderuar bashkëqytetarë,
Ju falënderoj shumë për praninë tuaj në promovimin e monografisë kushtuar heroit të Kosovës, Bekim Hysenaj. Ndihem me fat që, falë shëndetit dhe bashkëpunëtorëve, pas monografisë për familjen Delijaj, shkrova këtë monografi për luftëtarin sypatrembur Bekim Hysenaj.
Për shkrimin e këtij libri më kanë ndihmuar këshillat e miqve, para së gjithash rrëfimet e bashkëluftëtarëve dhe të miqve e të familjarëve të Bekimit. Një rrethanë favori e kam ndier edhe nga fakti i të qenët kushëri me të. Besoj se e kam tejkaluar suksesshëm barrierën që ta dikton afërsia dhe admirimi për një luftëtar, duke ruajtur gjakftohtësinë dhe distancën e nevojshme si mburojë nga ndikimi emocional. Ndoshta këtu më ka dhënë dorë edhe largesa e ngjarjes përtej dy dekadave. E, megjithatë, i ndërgjegjshëm se e përkryera është vetëm aspiratë dhe idealitet, them pa modesti se i jam afruar prekshëm realitetit.
Asnjëherë nuk mund të arrihet të përshkruhet i gjithë heroizmi i Bekimit në një monografi sado që jemi përpjekur të sjellim një pjesë të mirë të veprimtarisë së tij që nga dita e lindjes e deri në rilindje, do të thosha deri në përjetësi. E ndiej për obligim t’u kërkoj falje të gjithë bashkëluftëtarëve të Bekimit të cilët nuk janë përfshirë në monografi me rrëfimet e tyre e që janë shumë.
Pavarësisht prej përpjekjeve për hartimin e monografive për luftëtarët e lirisë, kurrë nuk mund të thuash se ia ke dalë mbanë me sukses të plotë, aq më tepër kur ke të bësh me ata që kanë prekur shkallën më të lartë të sakrificës, aktin e dëshmorit, të rënies për liri. Asnjë mirënjohje dhe konsideratë shoqërore e kombëtare nuk prek piedestalin meritor të bëmës së tyre. Duke dokumentuar veprat dhe heroizmin e dëshmorëve, mbrojmë dhe lartësojmë kauzën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Falënderoj familjen e heroit, bashkëluftëtarët nga Dukagjini dhe Drenica, redaktorin Adem Gashi, recensentët Emin Kabashi e Nusret Pllana, shtëpinë botuese “Armagedoni” dhe drejtorin e saj Berat Dakaj, për bashkëpunimin.
Një falënderim të veçantë kam për familjen time.
Me mirënjohjen dhe konsideratën për të gjithë, po e hap perden e kësaj ngjarjeje të madhërishme duke hedhur dritë mbi një figurë markante të luftës së UÇK-së.
I përjetshëm qoftë kujtimi për heroin e kombit Bekim Hysenaj!
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të rënë për lirinë e Kosovës!
Ju faleminderit!
Fotografitë dhe tekstin: “Epoka e re”