Polemika e vitit 1941 e Dom Nikoll Mazrekut: Kundër penës helmuese të priftit italian Fulvio Cordignano

22 prill 2022 | 08:18

Historia e përkthimit të broshurës polemike “Skandali Cordignano dhe mbrojtja e kombit Shqiptar”, me autor Dom Nikoll Mazrekun (alias Nikë Barcolla, 1912-1996) që u botua në vitin 1941, si përgjigje dhe kundërvënie ndaj priftit Italian Fulvio Cordignano, autor i një libri me sulme dashakeqe dhe akuza të pabaza ndaj kombit shqiptar. Përkthimi i atij libri u bë nga studenti 17 vjeçar i gjimnazit të Tiranës, Agim Leka (me origjinë nga një familje e njohur për tradita patriotike nga Borshi i Sarandës), me titullin e ri “Risposta a Cordignano sui suoi giudizi nei riguardi degli Albanesi”, që do të thotë “Përgjigje Cordignano për mbi gjykimet e tij mbi Shqiptarët”. 

Nga: Agim Leka

Ashtu si shumë qytete të tjera historike të Shqipërisë edhe Shkodra ka qenë nëpër shekuj një ndriçim diturie dhe një kështjellë krenarie për urtësinë dhe trimërinë në mbrojtje të nderit, të traditave dhe të pavarësisë shqiptare. Për më tepër, Shkodra mishëron lidhjen historike të popullit shqiptar me Botën perëndimore si mburoje e qytetërimit të tij. Prandaj, nuk ishte e pa pritur që gjatë sundimit të Italisë fashiste, kur penës helmuese e priftit italian, Fulvio Cordignano, sulmoi bërthamën e ekzistencës shqiptare në të përkohshmen famëkeqe “Rivista d’ Albania” të muajit mars 1941, përgjigja e rreptë të dilte nga ky qytet historik, nga Shkodra e Teutës, me dy libra të cilat përfaqësojnë fillimin e qëndresës së hapur nga penda shqiptare kundër sundimit fashist italian.

Libri “Skandali Cordignano dhe mbrojtja e kombit shqiptar” nga Nikë Barcolla (pseudonim i Dom Nikoll Mazrekut), i përbërë prej 36 faqesh dhe i nënshkruar nga 20 profesorë të Liceut shtetëror të Shkodrës, dhe “Cordignano në gjyq përpara botës”, i përbërë prej 31 faqesh, frymëzuan rininë e Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë të bënin demonstrata kundër Italisë fashiste. Në ata dy libra kundër Cordignanos, toni i përgjigjes i Dom Nikoll Mazrekut, përveç titullit kushtrimdhënës, pasqyrohej mbi mbulesën e librit të tij ku ishin vizatuar 12 shigjeta dhe ku ishte shkruar një citim i një fjale të urtë të Aristotelit: “Mos me u idhnue kur lypet, asht marri”.

Kështu, Dom Mazreku duke bashkërenditur trimërinë dhe urtësinë shqiptare, shpërtheu haptazi përbuzjen e shqiptarëve kundër Cordignanos dhe si rrjedhim edhe kundër atyre që e kishin nxitur atë të shkruante kundër popullit tonë, me qëllim që të justifikonin pushtimin e Shqipërisë si një mision e qytetërimi të Italisë fashiste, ashtu siç bëhesh në kohën e Perandorisë Romake. Gjithashtu, në librin e Cordignanos, shqiptarët paraqiteshin si kombi më i prapambetur dhe obskurantist i Evropës dhe ardhja e italianëve në Shqipëri konsiderohej jo si pushtim, por për t’i qytetëruar ata. Libri u sekuestrua me urdhër të Luogotenences italiane dhe prifti shqiptar Dom Nikollë Mazrreku, që në atë kohë ishte ndihmës-famullitar në Famullinë e Tiranës, u internua në fshehtësi dhe pa bujë në katundet e Malësisë.

Në një kohë që shumica e shokëve të m’i në Liceun shtetëror të Tiranës, me idealizmin e tyre të pamohueshëm për çlirimin e Atdheut tonë dhe për ndërtimin e një “shoqërie të re”, kishin përqafuar një ideologji të huaj ku thuhej: “Internacionale do të jetë bota e re”, unë fillova të shtoja dyshimet e mija të përforcuara edhe nga im atë, që më thoshte: “Asgjë e mirë nuk do t’i vijë kombit tonë nga bota sllavo-komuniste”. Im atë më tregonte vuajtjet e shkaktuara nga fqinjët tonë të veriut dhe të jugut, të cilat ai i kishte përjetuar me brengë në zemër, se si fshati i ynë Borshi, i njohur në Mesjetë me emrin “Sopot”, bashkë me 314 katunde shqiptare u bë shkrumb e hi nga andartet greke më 1914, vetëm e vetëm se banorët e tyre ishin shqiptarë brez pas brezi që nga kohët e lashta.

***

Brenda kontekstit të përshkruar më lart, botimi i librit të Mazrekut “Skandali Cordignano dhe mbrojtja e kombit shqiptar”, ishte për mua shkëndija frymëzuese në ringjalljen e ndjenjave të mia kombëtare dhe përforcuese në bindjen time se duhet të vazhdoja traditën e familjes sime nacionaliste, e cila kishte filluar me gjyshin tim Nebi Sefa, nënshkrues i shpalljes së pavarësisë shqiptare në 1912-ën në Vlorë dhe një nga protagonistët kryesorë në organizimin e Kongresit të Lushnjës në 1920-ën. Ishte Nebi Sefa ai që u ngarkua nga komisioni përgatitor i Kongresit të Lushnjës të kërkonte bashkëpunimin e Luigj Gurakuqit të cilin e kishte njohur në Vlorë më 28 nëntor 1912.

Po kështu, tradita e familjes sime vazhdon me gjyshin tim Ibrahim Leka, i cili si komandant i Qarkut të Lushnjës, e asgjësoj urdhrin telegrafik të cilin e dërgonte Valiu i Janinës, ku urdhëronte arrestimin e Ismail Qemalit dhe delegatët e tjerë që e shoqëronin atë për në Vlorë. Ibrahim Leka e lajmëroi Nebi Sefën se ai do të linte një rrugë të hapur për delegacionin shqiptar, i cili do të kalonte pa pengesa për në Vlorë nën mbrojtjen e heshtur të tij dhe i uroi Ismail Qemalit suksese (Dokumente, Instituti i Historisë, Dosja e Qemal Karaosmanit, 1936).

Si shumë familje të tjera atdhetare, edhe familja Leka ka dhënë një kontribut modest në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Kështu Hamit Leka, Qarkkomandant i Tiranës, me porosi të Ismail Qemalit, së bashku më parinë e Tiranës, më 26 nëntor 1912-të, në ora tre e gjysmë të pasdrekës ngriti flamurin në Tiranë dhe i dërgoi telegram Hifzi Pashait, komandantit të trupave turke në Ballkan, ku e njoftonte se Tirana ishte tashmë territor shqiptar (libri: “Patriotizma në Tiranë”).

Tradita e familjes sime vazhdon me babanë tim Rakip Lekën, i cili ia kushtoi jetën Jurisprudencës shqiptare duke i shërbyer popullit me të gjitha mundësitë e tija si jurist. Si student i Drejtësisë në Universitetin e Stambollit, Rakip Leka ishte i dyti në listën e studentëve shqiptarë që firmuan protestën e dërguar Sulltanit kundër alfabetit arab dhe në favor të alfabetit latin për gjuhën shqipe.

***

I entuziasmuar pa masë nga libri i Dom Nikoll Mazrekut, vendosa që ta përktheja atë në gjuhën italiane dhe për këtë kërkova takim me Dom Nikollën, me qëllim që t`i merrja leje për botimin e librit. Takimin me Dom Nikollën e realizova në fillimin e vitit 1942 në Tiranë ku ai shërbente si famullitar. Ai takim për mua ishte një fat i madh dhe shumë mallëngjyes, sepse unë një student 18 vjeçar fare i panjohur, po takohesha me një personalitet e atdhetar të madh, i cili me librin e tij kundër Cordignano kishte ngritur lart vlerat e racës shqiptare. E kujtoj si tani atë çast kur përpara meje u shfaq ai burrë i gjatë, i veshur me petkun e thjeshtë fetar, që me pendën e tij kishte nxitur qindra studentë shqiptarë të demonstronin për liri.

Fjala e ëmbël dhe idealizmi i tij për atdheun tonë të shtypur, ishin e gjithë tema e bisedës sonë. Me një herë u kuptuam se cila ishte detyra e çdo qytetari shqiptar, cilado qofshin pasojat nga pushtuesi fashist. Asnjëri nga ne nuk kërkonte famë ose ndonjë përfitim material, ajo ishte vetëm një detyrë që buronte nga shpirti i genit tonë shqiptar i cili kërkonte vetëmohim. Pasi Dom Nikolla me kënaqësinë më të madhe më dha lejen për botimin e librit, në parathënien e tij për lexuesit italianë më 1942, unë shkrova: “Përkthimi i këtij libri në gjuhën italishte, nuk kishte tjetër forcë shtytëse përveç dashurisë së thjeshtë për Atdhe”. Ky takim ishte i pari dhe i fundit me Dom Nikollën, sepse i përndjekur nga autoritetet fashiste italiane ai u detyrua në mënyrë të heshtur të largohej nga Tirana dhe të shkonte në fshatrat e thella të Malësisë.

As sot nuk e di se si vendosa që në moshën 18 vjeçare t’i kushtoja katër muaj përkthimit e botimit të librit “Skandali Cordignano dhe mbrojtja e kombit shqiptar”, duke i vënë titullin e ri “Risposta a Cordignano sui suoi giudizi nei riguardi degli Albanesi”, që do të thotë “Përgjigje Cordignano për mbi gjykimet e tij mbi Shqiptarët”. Duke mos ndryshuar asnjë fjalë brenda tekstit origjinal, arrita munda të nxirrja leje për botimin e tij në gjuhën italishte, libër i cili kishte qenë i sekuestruar më parë në botimin shqip.

Libri u botua nga shtypshkronja “Kastrioti” me një tirazh prej 2000 kopjesh dhe u shpërnda duke u blerë nga konsullata të ndryshme e italianët që ishin në Shqipëri. Se pse zgjodha librin e Dom Nikoll Mazrekut (Nikë Barxolla) për përkthim dhe pse vendosa t’a pasuroja atë me shënime të marra nga botimi i profesorëve të Liceut të Shkodrës “Cordignano në gjyq përpara Botës”, duke zmadhuar kështu përkthimin e librit në gjuhën italishte nga 36 faqe në origjinalin shqip, në 42 faqe të përkthimit italisht, nuk është vendi për të ndalur në këto pak radhë, sepse i kam shpjeguar në parathënien time të përkthimit, e cila u botua me datën 5 maj 1942.

Këtë parathënie unë e fillova me vargjet e Fishtës të përkthyer në italisht, të cilët pasqyrojnë krenarinë shqiptare nëpër shekuj dhe sfidën e racës e të shpirtit shqiptar, ku thuhet: “Na jem t`bijt e një fisit të përmendun/ n`dorë, qi i ndrit si rrfeja çeliku/ qi e qetësisë veç t’u dridhun anmiku/ që tanë bota kah besa e nderon”.

***

Në tetor të vitit 1994, me një kolegun tim i dërgova Dom Nikollë Mazrekut përshëndetjet e mia më të përzemërta. Ai m’u përgjigj me një fotografi të tijën si kujtim, në të cilën shkruante: “Të fala me shumë mall”. Kështu, 52 vjet pas takimit tonë të shkurtër në famullinë e Tiranës me 1942, Dom Nikollë Mazreku nga kryeqyteti i Ilirisë dhe unë Agim Leka nga Nju-Jorku, por me prejardhje nga fshati i Borshit, perla e rivierës shqiptare në skajin jugor të Shqipërisë se cunguar, u lidhëm përsëri shpirtërisht, me zemër të përvëluar për Kombin e shumëvuajtur, ashtu siç u bashkuam gjysëm shekulli më parë.

Pak kohë përpara, mora lajmin se Dom Nikolla ishte ndarë nga kjo jetë. Shpirti i tij është tashti në botën e amshuar. Ai i kushtojë tërë jetën Zotit e Atdheut dhe ne brezat e rinisë shqiptare të cilat ai na frymëzoi me idealet e larta të njerëzimit e me dashuri e sakrificë për Atdheun tonë të shtrenjtë, do ta kujtojmë gjithmonë me respektin më të madh.

***

Pjesë nga “Skandali Cordignano …”

… Sot qi shekulli tronditet me kataklisma popujsh të párregjistrueme deri tash në histori, nuk do t’ishte kohë polemikash e grindjesh së pávend, por instinkti i jetës qi shtŷn kafshët e páarsye me mprojtë me çëdo mjet strofullin e vet, shtýka edhè njerin me luftue per mos me humbë. E na, grumbull kjensash të páracë, të páfis e të páhistori, qi njerzit tjerë për mëshirë na pranoin me u thirrë me nji emën si ata ‘njerz’ e me jetue në shoqni të tyne, porsi parim juridik ketë luftë, ketë mprojtje, ketë kushtrim për jetë e kemi shprehë me fjalën e të sulmuemit: Dy duer për nji krye.

Shqiptarët e mjerë qi tash sá qindvjeta kanë mbetë të ngujuem në kalánat e maleve të tyne, tue qindrue për fis të vet, për doke, për trashigime të parve, kanë pritë me páduresë nji ditë fatlume qi t’i zierte prej robnís e t’u lite zemrat e hapta me kujtue lirín, hartet, perparimin e t’u lite duert e shpengueme me lëshue shpatën e pushkën për me kapë pendën e parmendën.

Por kúr, para dritës së qytetnimit u tërhoqne anmiqt e heshtavet, u radhuene anmiqt e puplavet. Dý varrë kulloin endè gjak në krahnorin e kjensave gjysmë-barbare, të párače, të pafis e të páhistori: dhuna trashamane e bumellit të pándergjegjë fjorentin Papinit e bordoni i denjë për atë antifonë qi i mbajti Fulv Cordignano në Rivista d’Albania, mars 1941.

E vërtetë vëç se shqiptarët – me kambë dhije, e qi kaloin natën varun për bishti nepër landë të pyjeve, siç na thotë Vladanj Gjergjeviqi – para atyne qi i mbëloin me shpifje, u marrin pahia e i poshtnoin, edhè në kjoftë se zemrohen, nuk i lëshon zemra. Rjedha e vrashtë e kohvet i ká bå prej granitit e çelnikut

Prá, moj Zana e Barbullushit, mos të vijë keq në kjoftë se zânsi i yt mâ i pari, do të vuej nji operacjon të lehtë me maje pendash …

Nikoll Mazreku e Zef Pllumi, të persekutuar nga komunizmi i Enver Hoxhës, nën akuzën “Armiq të popullit”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëtarët nga jashtë vendit së shpejti do të mund të…