Policia arreston dy zyrtarë shtetërorë, dyshohen për marrje ryshfeti

08 nëntor 2018 | 13:55

Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë me dije se ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “marrje ryshfeti”, “dhënie ryshfeti” dhe “përvetësim në detyrë”.

Sipas policisë, njëri nga personat e arrestuar është gardian i Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe tjetri zyrtar në Ministrinë e Diasporës.

“Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë: S.V. m/k/serb – gardian i Shërbimit Korrektues të Kosovës. P. M. m/k/shqiptar – zyrtar në Ministrinë e Diasporës. Të dyshuarit e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim kanë kryer veprat e lartcekura, duke shkëmbyer (dhënien) e parave në shumë prej 3 000 (tre mijë euro) para të gatshme me qëllim që t’i mundësohet posedimi i telefonit një të paraburgosuri të nacionalitetit serb, i cili gjendet në Burgun e Sigurisë së Lartë”, është thënë në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Policia ka njoftuar se njësitet relevante policore janë duke kryer hetime intensive lidhur me këtë rast, duke përfshirë edhe hetimet ndaj mundësisë së organizimit të ndonjë tentim ikjeje të personit të paraburgosur në fjalë

Ndaj të dyshuarve pas intervistimit dhe kompletimit të procedurave policore, me aktvendim të prokurorit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërkohë që Rusia përdor tanke të telekomanduara në Siri; Izraeli…