Policia heton mashtrimet në aranzhimet turistike

02 gusht 2018 | 20:16

Policia e Kosovës (PK), ka njoftuar qytetarët se ka filluar të hetojë disa kompani të aranzhimeve turistike.

Përmes një komunikate për media policia ka njoftuar se ky veprim ka ardhur pas ankesave të shumta për një kompani më seli në Gjilan.

“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë është duke i trajtuar disa ankesa të qytetarëve të Republikës se Kosovës të cilët kishin bërë aranzhime turistike për verën e vitit 2018 në Agjencinë Turistik “Vol Travel”, me seli në Gjilan”, është thënë në komunikatë.

Policia ka ftuar të gjithë qytetarët të cilët kanë pasur eksperincë me kompaninë “Vol Travel”, të paraqiten në polici.

“Këto aranzhime turistike dyshohet se nuk janë realizuar nga agjencioni i lartpërmendur, prandaj Policia fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët kanë bërë aranzhime turistike me agjencionin në fjalë, e të cilat aranzhime nuk janë realizuar, të paraqiten në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës në nivel të regjioneve përkatëse policore ku ata banojnë”, thuhet në komunikatë.

Policia po ashtu ka kërkuar nga qytetarët që të jenë më të kujdesshëm e të mos bien pre e mashtrimeve të tilla.

“Policia e Kosovës po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe operacionale për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve të involvuar në raste të tilla të mashtrimeve. Policia njëkohësisht kërkoi nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, të informojnë dhe bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës për parandalimin e këtyre rasteve”, përfundon komunikata.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e…