“Populli më votoi të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës – Zajednicën”/ Albin Kurti a po e tradhton besimin e qytetarëve të Kosovës

18 nëntor 2023 | 14:13

“[Me Zajednicë] donin të përsërinin Bosnjën në Kosovë. Unë nuk do ta lejojë këtë, qofsha në opozitë, qofsha në Qeveri. Kjo është arsyeja se pse njerëzit më votuan: Për të parandaluar Bosnjëzimin e Kosovës. Beogradi dëshiron të ketë një shtet brenda një shteti. Shteti i Serbisë me pavarësi brenda Kosovës”.

Kjo është deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të dhënë për mediumin ndërkombëtar, BBC, në emisionin HARDtalk të gazetarit Stephen Sackur, më 3 nëntor 2021 (të cilën të plotë mund ta lexoni në fund të këtij teksti), shkruan Demokracia.com.

Kjo përgjigje, më zë dhe me figurë, është dëshmi e qartë se kryeministri Albin Kurti është i vetëdijshëm plotësisht se fitorja e thellë në zgjedhjet parlementare të 14 shkurtit 2021, ku Lëvizja Vetëvendosje arriti të fitojë 438.335 vota apo 50.28%, është rezultat i besimit të qytetarëve të Kosovës se me ardhjen e tij në pushtet do të parandalohej themelimi i Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Por, nëntori tjetër, i vitit 2023, shpërfaq një fytyrë tjetër të kryeministrit Kurti, atë të një mashtruesi që tradhtoi dhe shkeli me të dy këmbët besimin e qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri Kurti është në ballë të procesit, jo duke e kundërshtuar, por duke prirë në rrugën për themelimin e Zajednicës. Me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], Kurti tani si kryeministër është dakorduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për “të siguruar një nivel të duhur të vetëmeaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe për zyrtarimin e “statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (Neni 7)” dhe për zbatimin “e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese (Neni 10)”.

Gjatë muajit tetor të këtij viti, dialogu Kosovë – Serbi ka marrë një rrugë të re. Kryeministri Kurti ka filluar procesin e themelimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës të datës 26 tetor 2023.

Për një dekadë, Kurti dhe Vetëvendosje u kanë premtuar qytetarëve të Kosovës se janë të vetmit që do ta ndalin Zajednicën. Sipas opozitarit Kurti, Zajednica do të rezultojë fatale për Republikën e Kosovës.

“Ta pranosh Zajednicën është serbofili”, “Zajednica e sjell Rusinë të Ura e Ibrit [në Mitrovicë]”, “Presidenti i Zajednicës do ta ketë numrin personal të Putinit, Medvedevit dhe Rogozinit”, “Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës”, “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil”, “Zajednica është një kthim i Serbisë, e cila do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm”, “Kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë fëmijët tanë luftën e kanë te dera”, “Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja”, “Zajednica është kancer për Kosovën”. “Zajednica është kundër Kosovës, s’duam të përseritet skenari i Bosnjës”. “Zajednica ka vdekur. Është obligim i yni të që të mos lejojmë ringjalljen e saj”, janë vetëm disa nga qindra deklaratat e dhëna nga opozitari Kurti.

Kurti nuk ka folur kundër Zajednicës vetëm si opozitar, por edhe si kryeministër i Kosovës. Demokracia.com ka sjellur edhe një përmbledhje të qëndrimeve të tij që tregojnë për kapërcimin e frikshëm të Kurtit si kryeministër, nga ideja për një Asociacion për malet e Sharrit dhe lumit Lepenc në Zajednicë dhe Vetëmenaxhim e autonomi substanciale për serbët në Kosovë.

Kjo është biseda e plotë mes Stephen Sackur (BBC, HARDtalk) dhe Albin Kurtit (kryeministër i Kosovës), e realizuar më 3 nëntor 2023:

Stephen Sackur, HARDtalk: A jeni gati të më thoni se do të jepni një marrëveshje më të mirë, më të drejtë për serbët që jetojnë në territorin tuaj?

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës: Serbët në Kosovë janë rreth 5 deri në 6% të popullsisë dhe ata nuk janë të diskriminuar. Por këto gjëra që Serbia u përpoq t’ia impononte shtetësisë së Kosovës dhe konstruksionit tonë kushtetues nuk ishin dëshirë e vullnetit të serbëve të Kosovës, por shprehje e aspiratave hegjemoniste të Serbisë. Kështu, kur Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk u zbatua, asnjë serb i Kosovës nuk protestoi kurrë. Ishte gjithmonë Beogradi ai që ishte i zemëruar. Në 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë u bashkuan dhe krijuan Asociacionin e Komunave Serbe. 9 janar 1992, ata shpallën Pavarësinë, 28 shkurt 1992, morën Kushtetutën e tyre dhe më në fund, më 14 dhjetor 1995 njohjen ndërkombëtare në Dayton të Ohios. Donin të përsërisnin Bosnjë në Kosovë. Unë nuk do ta lejoj këtë, qofsha në opozitë, qofsha në qeveri. Dhe kjo është arsye se pse njerëzit më votuan: Për të parandaluar Bosnjëzimin e Kosovës. Unë jam i bindur se me programin tonë do të ndihmojmë serbët po aq sa shqiptarët. Nëse i pyet serbët në Kosovë se cilat janë ankesat apo kërkesat tuaja kryesore, ata do të thonë punë dhe drejtësi. Por, Beogradi dëshiron të ketë një shtet brenda një shteti. Shteti i Serbisë me pavarësi brenda Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë lënduar…