PORTRETI I NJË NËNE

30 nëntor 2020 | 17:32

NAIM FETAJ

 

PORTRETI I NJË NËNE

 

(… që kërkon të birin)

 

1.
Ajo s’ka kohë as për të vdekur
Pa e gjetur djalin

Pa e djegë krejt fushën

Pa e rrafshue malin
Ah… pa e hjek krejt mallin

2.
E iu ka lutur gurit e drunit
Për sytë e tij të zi
Aty ku ajo qan
Ah… dru e gurë në dhe i ka shti

3.
Qe njëzet vjet e ka endur dhembjen
Qe njëzet vjet mallkue e ka këngën

4.
Pranverën e këpuste në mes si lulet
Verën e digjte si veten për çdo mot
Nyje e lidhte vjeshtën për një devër tjetër
E dimrin e shkrin me lot

5.
Qan e qan e gjora e loton tinëz
E tinëz mbi të
Zgërdhihen stinët

6.
Ah ky vaj i saj
Të therë… të pret… të vret
Dushk e bar në mal… edhe kjo i thau
E fushës dënesja i bie si një det

Tash e njëzet vjet

 DOSJA PA NUMËR 

 

Binin zogj si breshër nga qielli

Një mjegull ra në mes

Burrat ranë te lumi

Aty e mbrapa kush s’ka pa mëngjes

 

Vajin e fëmijëve e kanë përkundur lisat

Gjak e tambël kur pinin nëpër terr

Për gra e vasha as Zoti nuk dinte

Se ishte terrinë… tymnajë si nëpër ferr

 

Prej fshati në fshat

Me zorrë nëpër këmbë

Dhe t’vdekurit vinin pas

Me shpirt ndër dhëmbë

 

Mallkonin plakat

Breg rruge sy si gaca

Do të çelet qiella thoshin

Po larg ishte Bllaca

 

TABLO E VRARË

(Strellc, 1999)

 

Në udhëkryqin tënd shtanga krejt
Te kullë e lindjes mbeta si mejt
Ta paskan thyer relievin Fshat-Bardhi im
Krojet… kullat… varret
Krejt terrinë e tym

Ti paskan vrarë pëllumbat… gjelat grindavecë
Hithra qenke mbushur e veç bar pungec

Pleqtë e mirë ku i ke… pa ta si e bëre natën
Pa një këngë të re për Haki Pavatën

Shumë t’paskan vrarë gjithandej o plak
Prehrin e paske ende plot me gjak

Si ta shkruaj një fjalë… si ta nxi fletoren
Merrem ngrykë me ty… ma vret metaforën

Do ta bëjmë një këngë sa t’shërohesh pak
Thunjat sa t’i heqim… ferrat… gurët
Tymin e topave sa ta lajmë nga muret

E kur të t’i laj sytë e ta lidhi ballin
Do ta bëjmë një këngë… do ta kallim defin
Fol tash pak, o plak, me Adem Istrefin

 

(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arbnor Morina është ndarë i kënaqur me paraqitjen e Arbërisë…