PORTRETI I SKËNDERBEUT NË LETËRSINË BOTËRORE

17 janar 2020 | 21:27

Prof. asoc. dr. Myrvete Dreshaj – Baliu dhe Prof. dr. Begzad Baliu

Hyrje

Dy përvjetorë të rëndësishëm të kujtimit të Skënderbeut (1968, 2018), të shënuar në Kosovë dhe në Shqipëri, si dhe në disa qytete europiane, i kanë nxitur hulumtuesit për të hapur shumë arkiva dhe zbuluar shumë vepra pothuajse të panjohura ndër biblioteka europiane e botërore, si dhe përkthimin e ribotimin e shumë prej tyre, të cilat dëshmojnë për rolin e Skënderbeut në historinë kombëtare shqiptare, ballkanike, europiane dhe botërore.

Vepra “Histori e Skënderbeut” e Marin Barletit, e botuar në Romë, 1508, në latinisht, shënon shembullin e parë jo vetëm në kontekstin e së vërtetës historike po edhe mendimit kritik,për diskutimin mbi përmasën filozofike e diturore të bëmave dhe misionit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në vendin e tij (Shqipërinë) dhe në hapësirën ballkanike e europiane. Në këtë vepër, ngjarjet historike të së kaluarës përdoren edhe për të ilustruar idetë filozofike të autorit, siç është pikëpamja se në këtë botë asgjë nuk është e pandryshueshme, se ligjit të hekurt të ndryshimit i janë nënshtruar shtete dhe perandori me pasuri të pallogaritshme dhe me ushtri që mbaheshin si të pathyeshme. Ky element do të jetë më reflektuesi dhe më mbamendësi për lexuesit e Europës, se sa forca e mendjes dhe strategjia e njeriut janë triumfuese në çdo situatë.

Krijuesit shqiptarë të të gjitha periudhave edhe pas Barletit, si:Frang Bardhi, Jeronim de Rada, Naim Frashëri, deri te Sabri Godo, Fatos Arapi e Ismail Kadare, dhe studiuesit si: Fan Noli, Aleks Buda, Jup Kastrati, Selman Riza, Androkli Kostallari, Kristo Frashëri e të tjerë, kanë vazhduar ta përplotësojnë figurën e personalitetit të Skënderbeut në aspektin njerëzor, moral, strategjik e kombëtar në krijimtari artistike, si dhe ta hulumtojnë e studiojnë reflektimin e këtij personaliteti të madh në historiografinë botërore. Përgjithësisht, vlerësohet se ka dy grupe kryesore botimesh për Skënderbeun. Në njërën anë, qëndrojnë veprat me karakter të mirëfilltë historik, ku bëhen përpjekje për të ndërtuar e saktësuar më tej biografinë e heroit në kuadrin e ngjarjeve të epokës së tij, për të përcaktuar rolin e luftës së pamposhtur njëzetepesëvjeçare të shqiptarëve (…) tëEvropës së shek. XV. Nga ana tjetër qëndrojnë veprat që kanë si qëllim thelbësor jo zbulimin e fakteve historike e rindërtimin sa më të dokumentuar të ngjarjeve, por trajtimin e figurës së Skënderbeut për qëllime të caktuara politiko-publicistike, filozofike e edukuese-didaktike, si edhe për krijime letrare-artistike të gjinive më të ndryshme. (Riza, 2016; Kostallari, 2018).

Në letërsinë botërore për Skënderbeun janë shkruar krijime letrare në të gjitha gjuhët e mëdha a më të vogla të kulturës sëkohës, në të gjitha periudhat e mëdha historike dhe në të gjitha gjinitë dhe llojet letrare e artistike. Studiuesit e gjertanishëm kanë vënë re praninë e krijimeve letrare artistike në disa gjuhë tëmëdha të kohës, sikur janë: tekstet historike, publicistike dheletrare e artistike në gjuhën latine, frënge, angleze, gjermane, italiane, polake, spanjolle, greke, sllave dhe madje gjuhët e shteteve skandinave. Ata kanë vënë re praninë e teksteve historike, publicistike, filozofike, politike, letrare e artistike nga periudha e mesjetës së vonë deri në shekullin XX, por deri mëtash një sintezë e plotë apo tipologji sintetike dhe historiko-letrare, më shteruese, ende nuk është bërë. Studime me karakter tipologjik e sintetik nuk janë bërë as për kronologjinë historiko-letrare të ndikimit të disa veprave themelore, sikur është ajo e Barletit, e një kërkim shterues e dokumentues do të ishte me interes të bëhet së paku për natyrën historiko-letrare tëpërkthimit dhe ndikimit të veprës së Marin Barletit, Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, nga botimi i saj i parë më 1508 e deri më sot. Kjo vepër ka ushtruar ndikimin e saj nëbotimin, përmbajtjen, individualizimin e portretit të Skënderbeut dhe bashkëkohësve të tij në disa gjuhë dhe te disa autorë, të cilët kanë shkruar, traktate filozofike, poezi, poema, novela, drama, tragjedi, komedi, librete e romane, në gjuhë dhe në kohë tëndryshme.

Disa studiues kanë theksuar faktin se për Skënderbeun kanëshkruar përgjithësisht bardët kishtarë, filozofikë, politikë, strategjikë, ushtarakë e ekonomikë europianë, në kohën kur ishin të bindur se rreziku nga Turqia nuk ekzistonte, por po të shihet më gjerësisht krijimtaria letrare edhe e mëvonshme, nuk ështëvështirë të kuptohet se vepra letrare e artistike për Skënderbeun janë shkruar, kur më shumë e kur më pak, në të gjitha periudhat historike, madje duke i zgjeruar përmasat stilistike të gjinive dhe llojeve letrare, nga tekstet historiko-letrare dhe poezia, të cilat mbizotëronin në fillim, me tekstet dramatike, teatrore e poemat, të cilat mbizotërojnë në periudhën e dytë, e madje deri te novelat dhe romanet, të cilat e mbizotërojnë periudhën e tretë.  

Në studimet e gjertanishme skënderbegiane kanë munguar dhe vazhdojnë të mungojnë sintezat historiko-letrare për figurën e Skënderbeut. Vetëm në 500 vjetorin e vdekjes së tij janë bërëvlerësimet e para sinzetizuese mbështetur në gjuhët e kulturat më të mëdha europiane, autorët përfaqësues dhe veprat më me ndikim. Trajtimin e dyfishtë mbi tekstet historike dhe letrare të botuara gjithandej Europës mund ta hapim me konceptet e historianëve, kritikëve dhe studiuesve të mendimit shkencor dhe letrar mbi historiografinë e Skënderbeut dhe Epokës së tij, Aleks Budës, Jup Kastratit, Selman Rizës, Androkli Kostallarit etj. Pas shumë teksteve përgjithësuese mbi mendimin shkencor shqiptar, europian e botëror për vendin që zë Skënderbeu në historiografinë botërore, sintezat e para kritike të kësaj dijeje në gjysmën e dytë të shekullit XX, ia kanë sjellë Aleks Buda (1968) dhe dhe Jup Kastrati (1969). I pari me konceptet përgjithësuese të disa prej veprave përfaqësuese, ndërsa i dyti me paraqitjen shteruese të këtyre veprave, me interes edhe për studimet e mëtejshme skënderbegiane. Buda do të shquhet për pikëpamjet institucionele që shprehnin dijet albanologjike, ndërsa Kastrati për tërësinë përmbajtjesore që kanë ato, pavarësisht periudhës së shkrimit dhe mesazhit që dërgonin. (Kastrati, 1967, 1978).

Kjo është edhe arsyeja pse në këtë studim krijimtarisë letrarekushtuar Skënderbeut nga të huajt do t’i qasemi duke iidentifikuar temat historike, bëmat ushtarake, karakterin kombëtar dhe gjithë përmasën e jetës së tij brenda llojeve e gjinive letrare, duke e konsideruar këtë një nismë modeste për sinteza të tjera të kësaj natyre edhe në të ardhmen.

Tash së fundi kërkimet për Skënderbeun jo vetëm janë thelluar,por edhe hapur në shumë drejtime. Tani bëhen kërkime jo vetëm për vepra të botuara kryesisht në hapësirën e gjuhëve më të mëdha europiane (Agron Fico, 1967; Bulka, 1967; Jaka, 1979; Luarasi, 1967; Lacaj, 1967), po edhe Amerikë (Qirzidhi, 2009; Sina, 2018; Daci, 2018 etj) e madje edhe në shtetet Skandinave (Lloshi & John Quandrud, 2018) deri në Rusi e shtetet Aziatike.

Portreti i Skënderbeut në poezinë botërore

Poezia është një prej gjinive letrare me të cilën shkrimtarët e tëgjitha periudhave i kanë shprehur ndjenjat e tyre, përkushtimin ndaj Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe epokën e tij. Studiuesi dhe përkthyesi Fotaq Andrea, i ka ndarë në tri epoka interesimet e shkrimtarëve, përkatësisht poetëve për të shkruar poezi dhe poema për Skënderbeun. Sipas tij, epoka e parë përfshinëperiudhën e Rilindjes Europiane me Gabiele Faernon e Luigi Groton, etj.; periudhën e luftës për pavarësinë greke në fillim të shekullit XIX, kur shkëlqyen Boçari me arvanitasit e tij dhe kur Bajroni përjetësoi shqiptarin historik të Skënderbeut me fustanellën e gjatë karakteristike; dhe më në fund periudhën e fillimit të luftës për pavarësinë shqiptare me Lidhjen e Prizrenit dhe kur De Rada i shkruante Lamartinit të madh e Dora d’Istriasnë Amerikë dhe i kërkonte Longfellout, poetit kombëtar amerikan, të shkruante për lavdinë skënderbegiane. Fakti është se nga Rilindja europiane e gjer në ditët e sotme, figura e Skënderbeut ka qenë dhe mbetet simbol i përhershëm frymëzimi i vargut të ëmbël lirik e poetik” (Andrea, 2018).

Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe Shqipërinë i ka përjetësuar si një tërësi dhe në mënyrë të veçantë shkrimtari, udhëpërshkruesi dhe personaliteti i shquar i romantizimit europian Gordon George Byron (1788-1824) me vargjet:

O Shqipëri ku lindi Skënderbeu!

Këng’ e së ardhmes dhe fanar i të urtëve

dhe tjetri Skënderbe që shkoi e u drodh dheu

me shpatë preu çdo armik të udhëve.

Shqipëri, lejomë të kthej sytë mbi ty

o nën’ e ashpër burrash të rreptë,

ja, kryqi po zbret e zbardhin minaret

dhe hën’ e zbehtë ndrit nëpër lugina,

mbi drurët me selvi në çdo shesh pazari.  (Qirzidhi, 2009: 72)

Për Skënderbeun ka shkruar Pal Jovi (1485-1552) sonetin brilant“Madhështi”, në të cilin ka përjetësuar gjithë biografinë e tij sa krenare po kaq edhe tragjike: nga fitoret e njëpasnjëshme te zhvarrimi i tij, i cili më parë se sa për anën tragjike të tij dëshmon për kthimin e tij në legjendë të një perandorie tëpushtuar. Do të shkruaj më pas poeti dhe personaliteti i shquar i epokës së tij Jacques de Lavardin (shek. XVI); si edhe poeti i shquar i po kësaj epoke Petrus  Regulus Vincentius, (1519-1581), duke e vendosur poezinë e tij në ballinën e botimit të parëtë kryeveprës së Marin Barletit “Historia e Skënderbeut”, Romë, 1508-1510; poeti Dominicus Alezegnano Patavinus (shek. XVI), poeti Jamin Amadis (1540-1593), shkrimtari më me ndikim i rilindjes franceze Pierre de Ronsard (1524-1585); shkrimtari i periudhës skënderbegiane Gabriele  Faerno (1510-1561); poetiLuigi Groto (1541-1585); poeti dhe personaliteti i shquar Edmund Spenser (1553-1599); shkrimtari i lavdishëm Théodore Agrippa D’Aubigné (1552-1630); shkrimtari amerikan Henry Wadsworth Longfellow (1807-1882), poezia e të cilit për Skënderbeun mund të konsiderohet ndër më të bukurat tekste poetike skënderbegiane të shekullit XX; poetja dhe enciklopedistja e përmasave universale Margaret Sarroti (XVI-XVII), poeti kroat Andrija Kaçiq Mioshiq (1704-1760), shkrimtari maqedonas Grigor Perliçev (1829-1893) etj.

Siç mund të shihet prej teksteve të shkruara dhe të botuara kryesisht ndër botime historiko-publicistike për Skënderbeun, tekstet e poetëve, në të shumtën e rasteve janë poemtha tëbotuara ndër kopertina librash për Skënderbeun dhe trajtojnëkryesisht madhështinë e biografisë së tij, prejardhjen etnike arbërore/epirotase, luftërat dhe fitoret kundër PerandorisëOsmane, të qenit mbret i nderuar dhe i vlerësuar në sytë e Europës, fundin tragjik të zhvarrimit të tij, situatë kjo, që mëparë se anën tragjike do t’ia sigurojë shenjtërinë e tij.

Në këtë rrjedhë të sjelljes sa më të plotë të biografisë dhe bëmave të tij, shkrimtarët në radhë të parë kanë theksuar etninë, përkatësisht prejardhjen e tij: prejardhjen epirotase”, (Patavinusi); madhështinë e vendit ku ka lindur: “Të madhit të Epirit, që aq ndritshëm ngadhënjen” (Patavinus); përkatësinë etnike dhe gjeografike “Gjak i kulluar mbretërish të Epirit(Amadis); përkatësinë shqiptare O shqiptar prej fatit sjellë! (Ronsardi); origjinën e lashtë etnike të tij “Të tillë Hero mes të lashtëve të tu, lum ai”! (Groto); përkatësinë shqiptare dhe të virtyteve trimërore e luftarake të tij: “…Prisi trim shqiptar! (Sarroki) etj.

Poetët e të gjitha kohëve Skënderbeun do ta identifikojnë edhe me disa cilësi, disa veçori etike të karakterit të tij dhe estetike të pamjes së tij, si dhe do ta pasurojnë poezinë e tyre me shumë epitete, metafora e hiperbola. Le të sjellim disa nga ato: “rrufe”, “shpirtmadh”, “luan”, i krahasuar me Aleksandrin e Madh (Vincentius); “gjeni i lartë”, “shpirtmadh”, “Cezar i pamposhtur” (Patavinusi); në radhën e perëndive, “i përzgjedhur i perëndive”, “I denjtë për përjetësi”, “(Amadis); “guximtar prej trimit Akil” (Ronsard) etj.

Një prej veçorive sa tragjike aq edhe të lavdishme në biografinë e Skënderbeut është edhe zhvarrimi i tij, prej të cilës do të frymëzohen shumë krijuespoezive përkushtuese për jetën, veprën dhe pasurinë materiale e shpirtërore të tij. Këtë pamje tragjike do ta theksojë madje njëri prej poetëve që ka shkruar mbase poezinë e parë kushtuar Skënderbeut, Pal Jovi, me titull “Madhështi”. Poezia e tij, përkatësisht soneti hapet me vargjet brilante:

Në varrin tënd, o Gjergj, përmbyllur janë

rrënoja turke, mbrojtja epirote;

Por kockat e tua të shenjta pa marrëveshje kurrfarë

Në shumë vende u shpërndanë e depërtuan kudo,

(…) dhe mbyllet me vargjet:

Virtyti varr i jep çdo krijese,

Ty ta rrëmbeu varrin dhe të dha

Përjetësisht veç nder e madhështi (Jovi, 2018: 45).

Në këtë rrjedhë shekujsh të përkushtimit të poetëve për figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ka vazhduar edhe me autorë, trajta dhe tema më bashkëkohore të shkrimit. Do të mund të shquanim këtu autoren e poemës homerike për Skënderbeun Margaret Sarroti (shek. XVI), shkrimtarin kroat Andrija Kaçiq Mioshiq (shek. XVII) dhe shkrimtarin shumë të popullarizuar amerikan Henry Wadsworth Longfellow (shek. XIX). Që të tre janë shquar me pikëpamjet e tyre mbi bëmat e Skënderbeut, luftërat e tij kundër Perandorisë Osmane, rolin e tij në organizimin e shtetit shqiptar, si dhe misionin e tij prej mbrojtësi të vlerave të qytetërimit perëndimor.

Autorja e parë Sarroti në poemën e saj tek biografia e Skënderbeut ka përjetësuar vlerat epike të tij, duke e parë atë në rrjedha të zhvillimeve të kohës. Karakteristikë e kësaj poeme është hapja e saj sipas natyrës së eposit ballkanik, duke përfshirë këtu edhe eposin shqiptar: “Trimërin’ e pashoqe këndo, o Zanë”, për të theksuar më tej prejardhjen trimërore shqiptare, besën e popullit arbëror, marrëdhëniet e tij me mbretërit e Napolit, lavdinë e fitoreve të tij etj. Edhe poema e Mioshiqit ndërtohet pothuajse krejtësisht mbi parimet e këngëve legjendare, duke përshkruar pothuajse me besnikëri disa aspekte të bëmave legjendare të tij. Ndonëse pa u larguar nga faktura historike, por duke sjellë edhe elemente lirike të jetës dhe shfaqjes historike të karakterit të brendshëm të Skënderbeut, sjell shkrimtari amerikan Longfellow, poemthi i të cilit falë edhe përkthimit mjeshtëror të Nolit pati një perceptim të gjerë në letërsinë shqipe.

Skënderbeu në letërsinë romanore botërore

Nëse në periudhën e parë treshekullore, për Skënderbeun janë shkruar kryesisht poezi, poemtha dhe fjalë hyrëse kur historike, kur panagjerike e madje edhe kur filozofike, të cilat para se gjithash vendoseshin në hyrje të vëllimeve biografike dhe historike të veprave kushtuar heroit tonë kombëtar, në periudhën e dytë dhe të tretë botohen edhe vepra të llojeve e gjinive të tjera.  Mëgjithatë për Skënderbeun janë shkruar vepra të tjera edhe në shekujt e parë të lavdisë së tij. Shembulli më i mirë është romani i shkrimtarit italian Antonio Posenti Tmerri i turqve (1548) dhe i shkrimtarit francez Yrben ShevroSkënderbeu (1644).

Pas poezive e poemthave, të vendosura kryesisht si hyrje për vepra të caktuara historike, publicistike e filozofike botuara deri në shekullin XVI e më tej, në shekullin XVII fillon botimi i veprave me përmasa më të gjera letrare e krijuese, me tema më të gjera dhe me ndjenja më të thella krijuese, jo vetëm për luftërat e tij e betejat e veçanta antiosmane, po edhe për situata të tjera personale, shoqërore, aventura djaloshare, ndjenja familjare etj. Sikur ka vënë re studiuesi Androkli Kostallari “nga fundi i shek. XVII e në gjysmën e parë të shek. XVIII, në periudhën kur pakësohet rreziku otoman, trajtimi i figurës së Skënderbeut merr një karakter tjetër: vëmendja përqendrohet jo te luftërat e tij çlirimtare, po te peripecitë dhe aventurat e jetës së tij, te kthesat e papritura dhe çastet e mprehta, si shkëputja e tij nga oborri i turqve, lufta kundër atyre me të cilët kishte jetuar në moshën e re, vuajtjet dashurore e të tjera. Subjekte të tilla u dhanë fill sidomos romaneve të vëllimshme. (…) Më 1548 italiani Antonio Posenti botoi romanin “Tmerri i turqve”, i cili u ribotua edhe dy herë më vonë, dhe shkrimtari francez Yrben Shevro botoi në Paris, më 1644 romanin Skënderbeu, ndërsa po gjatë këtij shekulli një autor rus shkroi po një vepër të tillë, me titull Tregime për Skënderbeun, princin shqiptar. Por këto ishin, në thelb, romane historike, që lidheshin organikisht me gjithë letërsinë historike të kohës së vet dhe që ndofta do të ishte më e drejtë të quheshin histori të romantizuara (Kostallari, 2018).

Në letërsinë angleze vepra e parë romanore kushtuar Skënderbeut nuk erdhi nga autorët anglezë. Romani i parë për Skënderbeun në gjuhën angleze erdhi i përkthyer nga letërsia franceze, respektivisht nga shkrimtarja Anne de la Roche Guilhem (1644 1707/1710). Guilhem kishte shkruar disa vepra gjatë qëndrimit në Angli dhe Holandë, por do të shquhet romaniLe Grand Scanderberg (1688) (Kadija, 2018).

Sikur e ka theksuar studiuesi Androkli Kostallari, këto romaneishin, në thelb, romane historike, që lidheshin organikisht me gjithë letërsinë historike të kohës së vet dhe që ndoshta do të ishte më e drejtë të quheshin histori të romantizuara. Ato që në fillim shprehin qartë synimin e tyre politik, qëllim që aq bukur e pati formuluar më parë Kaspar Hedi. Antonio Posenti, (…) paralajmëron lexuesit që vepra e tij është një tregim “për prijësin më të guximshëm që ka parë ndonjëherë bota” dhe “nga ajo që bëri ai, të mësohet ajo që duhet bërë”. (Kostallari, 1988.) Në këtë periudhë edhe romansierja franceze dhe njëra prej grave të shquara të kohës Anne de la Roche Guilhem botoi romanin e saj për Skënderbeun.

Njëra prej veprave padyshim më mbresëlënëse në letërsinë skënderbegiane është romani i shkrimtarit Xheims M. Ludllou, Konstantini dhe Mersina (Një histori nga koha e Skënderbeut), që në origjinal mban titullin The Capitan. Fjala është për një histori ndërlidhjesh ballkanike të personazheve, dhe përpjekjes së tyre për t’u çliruar nga Perandoria Osmane. Romani ka një masazh të dyfishtë: artistik dhe historik, për të mos thënë etik dhe estetik. Ai ndërtohet mbi dy linja komplementare: historike (si rrafsh i ambientit ku zhvillohen ngjarjet) dhe frymëzues e ndjenjor (si përmbajtje e brendshme e zhvillimit të ngjarjeve).

Në vepër vendosen përballë njëri tjetrit dy personalitete historike të kohës, përkatësisht dy personazhe karakteresh të ndryshme,Ballabani dhe Skënderbeu. Në plan të parë del Ballabani dhe ëndrrat e tij fëmijërore për të qenë i pasur, i fuqishëm dhe urdhërdhënës i kohës së tij, ndërsa në plan të dytë Skënderbeu, një personalitet i ndjenjave krejt të tjera, i vlerave më pozitive edhe në luftë edhe në paqe. Karakteri i Ballabanit në të gjitha rastet del në kontekstin më të errët edhe në marrëdhëniet e tij me Sulltanin edhe në ambientin e Perandorisë në Stamboll.

Raportet e egos së tij personale madje nuk dalin vetëm prej marrëdhënieve që ndërton me të tjerët, por në fund dalin edhe me vetveten. Edhe atëherë kur bie në dashuri me Mersinën, ai papritmas i thërret ndërgjegjes së tij: si është e mundur të bie në dashuri me tjetrën në vend se ta dua veten time! Urrejtjen e tij ndaj të tjerëve, duke mos parë me sy njerëzor as fëmijët dhe botën tjetër gjinore, do ta dëshmojë me rastin e hedhjes së një qeni të ngordhur në pusin e Kështjellës së Sfetigradit.

Ndryshe ndodh me çiftin Konstantini dhe Mersina, të cilët cilësohen për virtyte shembullore në raport me njëri tjetrin dhe në raport me qëllimet për të cilat luftojnë ata. Megjithëse në rastin e parë, Ballabanin, kemi të bëjmë me një personazh sa artistik aq edhe historik, në rastin e dytë vetëm në kontekst të prejardhjes Konstantini dhe Mersina janë personazhe historike dhe komplementarisht artistike. Raportet e tyre shpirtërore dalin po kaq të shenjta sa edhe lufta e tyre e shenjtë në raport me atdheun e tyre.

Si i tillë romani Konstantini dhe Mersina, pasuron dyherësh dhe në mënyrë paralele jetën dhe veprën e Skënderbeut dhe personazheve historike të kohës; ndërton sisteme të reja paralele mes historisë dhe letërsisë, mes fiksionit dhe realitetit; si rrallë në ndonjë roman tjetër të shkruar deri në gjysmën e dytë të shekullit XX, korrespondojnë letërsia dhe historia duke i dhënë njëra tjetrës. Nuk mund e të mos thuhet madje edhe rëndësia që ka romani edhe në raport me romanin e shkruar në kohën tonë dhe ndikimin e tij. Përbërës historikë e letrarë të tij, si ai i helmimit të ujit, i gjejmë edhe te romani i Ismail KadaresëKështjella (1970).

Ndër romanet posaçërisht të njohura dhe të vlerësuara nga mendimi kritik i kohës e nga mendimi historiko-letrar është edhe romani i shkrimtarit anglez Benjamin Disrael, Naltësimi i Skënderit (1833). Shkrimtari, politikani, eseisti dhe autori i disa veprave me përmbajtje të rëndësishme shoqërore të kohës,kryeministri anglez me prejardhje ebreje Benjamin Disrael, ka shkruar edhe njërin prej romaneve më të mira për Skënderbeun dhe kohën e tij. I frymëzuar nga Bajroni dhe vargjet e tij epike,ai edhe romanin e tij e shkroi në stilin romantik të kohës, duke vendosur në qendër të kohës tre nga personalitetet më të mëdha të kohës: Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Gjon Huniadin dhe Sulltan Mehmetin II, i njohur edhe si pushtuesi i Konstantinopojës. Disraeli, ashtu si edhe Bajroni, më parë kishte bërë udhëtime në Mesdhe, duke vizituar disa nga shtetet më të rëndësishme të kohës, prandaj nuk është e rastit pse ndikimi helen, si edhe te Bajroni, në veprën e tij shfaqet gjerësisht. Këtë e kanë vënë re edhe kritikët e veprës së tij. Madje edhe hapësirën ku vepron Skënderbeu ai e nda në tri pjesë: Shqipëri, Epir dhe Greqi. Dhe për më tej nuk është e rastit pse Nikeasi, princi fiktiv i Athinës, krahas Idunës, vajzës së Huniadit, del pothuajse kudo në gjithë romanin e tij. Në anën tjetër del gjeografia shqiptare, përkatësisht emrat e vendeve, si: Kruja, Petrela, Kalishta etj., të cilat përcaktojnë hapësirën shqiptare ku zhvillohen ngjarjet e romanit. Një linjë tjetër etnike dhe historike kombëtare përfaqëson historia tipike e marrjes peng të djemve të Gjon Kastriotit.

Studiuesi dhe përkthyesi shqiptar i veprës së Benjamin Disraelit, Malë Berisha, pasi ka identifikuar gjerësisht dhe thellësisht veçoritë historike dhe artistike të saj, ka theksuar edhe përmasën europiane: “Parë në këndvështrimin pozitiv, – shkruan Berisha, – duhet theksuar se kjo vepër ka luajtur një rol të rëndësishëm në evidentimin e shumë fakteve historike të kohës, kur Shqipëria u vu nën rrezikun e zhdukjes nga harta e Europës për shkak të pushtimeve osmane. Po ashtu në këtë vepër evidentohet qartë mbrojtja që asaj i bëri Skënderbeu, i cili nuk e harroi atdheun e vet. Libri ka një natyrë shumë edukative-patriotike pasi në vazhdimësi përmend ndjenjat atdhetare, thirrjen e brendshme që Skënderbeu kishte për atdheun, detyra më fisnike që ai ja kishte vënë vetes në jetë, përplasja me fatin e vet për të mbrojtur dheun e të parëve etj. (Berisha, 2018: 25).

Si i tillë, ky roman sjell një pamje interesante jo vetëm të figurësGjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe personazheve historike të bashkëkohësve të tij, po edhe perceptime të reja letrare e estetike në prozën skënderbegiane.

Skënderbeu në dramaturgjinë botërore

Vepra madhore për Skënderbeun dhe kohën e tij do të shkruhen edhe në gjininë dramatike, si drama, sidomos njëaktëshe, tragjedi, komedi, opera, balete etj. Me dramën dhe llojet e saj letërsia për Skënderbeun do të zgjerohet shumë për nga temat dhe motivet që do të trajtojë. Ndryshe nga poezia dhe poema, të cilat kishin karakter përgjithësisht historik dhe epik, ndryshe nga novela dhe romani në të cilët tema historike merr dimensione më të gjera historike dhe etnografike, drama dhe llojet e saj e zgjeruan shumë temën, motivin dhe karakterin jo vetëm historik,po edhe personal të Skënderbeut.

Drama e ka zgjeruar shumë dhe pakrahasueshëm konceptin europian për Skënderbeun, hapësirën gjeografike të veprimit të tij, natyrën luftarake të tij, duke i dhënë asaj jo vetëm karakterinhistorik po edhe aventuristik, jo vetëm karakterin epik po edhe sentimental, si dhe duke e vendosur atë jo vetëm në hapësirën gjeografike të Shqipërisë por edhe të Greqisë, qendrës së Perandorisë Osmane, Italisë e më gjerë. Drama zgjeroi dukshëm pamjet nga ambientet historike, sallonet, kafenetë, ambientet urbane, më shumë se ato rurale në jetën dhe bëmat e Skënderbeut.

Drama, ai asnjë gjini tjetër, kushtuar Skënderbut, u botuan dhe madje u shkruan vetëm për teatrot e kohës, po edhe për teatrot e hapura, për publikun e mbyllur, d.m.th. vetëm për mbretërit etj.Ato ishin drama klasike, tragjedi, drama shumë të popullarizuara “comedia famosa” dhe të ashtuquajturat “akte sakramentale”, pra pjesë njëaktëshe që shfaqeshin në zona të caktuara qytetare.Shumë nga ato u botuan dhe tani janë të njohura edhe për lexuesit dhe publikun e sotëm, por mjaft prej tyre janë të njohura vetëm fal tablove dhe reklamave të ruajtura në arkivin e institucioneve përkatëse.

Dramat për Skënderbeun, si askund tjetër dhe për askë tjetër,janë botuar dhe janë shfaqur në qendrat më të mëdha të Europës dhe gjuhët më të mëdha të saj: angleze, franceze, spanjolle, italiane dhe gjermane. Të dhënat bibliotekare, bibliografitë për dramën europiane dhe studimet e gjertanishme për letërsinë skënderbegiane, dëshmojnë se për Skënderbeun janë shkruar drama nga shkrimtarë të shquar të skenës europiane, sikur është Lope de Vega dhe bashkëkohësit e tij, nga dramaturgë të shquar anglezë, francezë, bashkëkohës të Gëtes në letërsinë gjermane etj.

Përveç komedisë së famshme të De Vegas, Princi Skënderbej(1562) vepra dramatike për Skënderbeun ka shkruar edhe  Perez de Montalban, Princi i robëruar Skënderbej (1629), Luis Valez de Guevara (1634), I madhi Gjergj Kastrioti e princi Skënderbe (1634), bashkautorët Belmonte Bermudez, Augustin Moreto dhe Antonio Martinez de Meneses Princi i persekutuar, shkrimtari Antonio de Meneses, Shembull i virtyteve morale në jetën e Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbej (1688) etj. Karakteristikë e teksteve dramatike të shkrimtarëve polakë, ndërkaq është gjuha latine e shkrimit të tyre. Shkrimtari Chelmsciane Lunae, ka shkruar dramën Castriotto Georgius, (1685) ndërsa shkrimtari Olszowski, ka shkruar dramën Publica Sarmatiae felicitas in Scanderbego(1714). Prapa, me tekstet e tyre dramatike të temës skënderbegiane nuk qëndrojnë as shkrimtarët anglezë. Kështu,shkrimtari Kristofor Marlout, botoi dramën Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit, shkrimtari Tomas Uinkop botoi dramën Skënderbeu ose Liri e Dashuri, shkrimtari Uiliam Havard botoi dramën Skënderbeu, ndërsa Xhorxh Lilo, botoi dramën e tij Heroi i krishterë, me të cilën sikur thuhet nuk pasuroi vetëm dramën dhe teatrin me temën për Skënderbeun po edhe dramën europiane përgjithësisht.

Vend me rëndësi në dramën skënderbegiane zënë edhe shkrimtarët italianë dhe ata gjermanë. Rëndësia e këtyre teksteve nuk qëndron vetëm tek vlerat historike dhe artistike të teksteve të tyre, po edhe tek reflektimi i gjerë që patën ato gjatë shfaqjeve nga njëri teatër tek tjetri, për t’i kaluar një ditë edhe kufijtë e Europës. Në këtë rrjedhë do theksuar dramën e shkrimtarititalian Arkangelos, Shqipëria e sulmuar (1650), dramën e shkrimtarit Anton Zanibonit, Trimëritë e princit Skënderbe, mundësitë e Sulltan Muratit (1730), si dhe dramën në vargje të Mauricio Gerardinit, Skënderbeu, princi i Shqipërisë (1732).Karakteristikë e dramës gjermane është bartja e temës së Skënderbeut në hapësirën dhe ambientet e kohës për liri të popullit grek. Me këtë temë shkrimtari gjerman Karl Sondershauzen, botoi dramën poetike Çlirimi i Greqisë(1821), ndërsa F. G. Rudbek botoi dramënhistorike Skënderbeu (1835).

Vepra letrare dramatike, në vargje dhe në prozë, më në fund kanë shkruar edhe shkrimtarët e Gadishullit Ballkanik. Shkrimtarët ballkanikë, për Skënderbeun kanë shkruar jo vetëm poezinë dhe prozën po edhe dramën dhe format e saj. Më 1889, shkrimtari grek Anton Antoniadhi botoi dramën Skënderbeu, ndërsa shkrimtari serb Jovan Steria Popoviqi, botoi komedinë po ashtu me emrin “Skënderbeu (1848) (Schmaus, 1969: 161). Si edhe në dramat e shkruara në gjuhët e mëdha të Europës edhe në dramat e letërsisë së popujve të Ballkanit, Skënderbeu del shembull virtyti i luftëtarit, model i karakterit human e synim çlirimtar i luftëtarit, pra shembulli më emblematik jo vetëm për popullin e tij, po edhe për popujt fqinj.

Përfundime

Për Skënderbeun është shkruar më shumë se pesë shekuj me radhë. Ato janë vepra të botuar në disa nga shtetet europiane dhe në disa gjuhë të mëdha të popujve të Europës. Pjesa më e madhe e tyre, fillimisht janë botuar nën ndikimin e përkthimit të veprës së Marin Barletit, Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut”, por më tej ato sado kanë përdorur historinë si referencë, janë mbështetur edhe në botime të tjera dhe njëkohësisht kanë zgjeruar fushat e kërkimit, duke e parë atë edhe në kontekst të simbolit të mbrojtjes së krishtërimit dhe rrezikut që mund të vinte nga Perandoria Osmane.

Për jetën dhe betejat e tij kundër Perandorisë Osmane është shkruar kryesisht gjatë shekujve XV-XVII, ndërsa tre shekujt e fundit luftërat e tij janë parë edhe në kontekst të filozofisë së lirisë universale, prandaj për Skënderbeun nuk janë shkruar vetëm poezi e pamflete historike dhe politike, po edhe drama, romane, tragjedi, komedi, poema epike e lirike, pra gjini e lloje të tjera letrare e artistike, nga Ballkani në Europën Perëndimore e deri te Shtetet Skandinave e në Amerikë, dhe nga Mesdheu drejt Lindjes deri në Rusi. Veprat e gjinive dhe llojeve historiko-letrare, filozofike e teologjike dhe kulturore e artistike, janë shkruar pothuajse në të gjitha gjuhët e mëdha dhe në gjuhët klasike.

Tekstet letrare e historiko-letrare të shkruara në gjuhë të ndryshme të botës dëshmojnë përpjekjen e shkrimtarëve përnjohjen e thellë të personalitetit të tij, të biografisë jetësore të tij dhe të karakterit shpirtëror të tij, prandaj ato sjellin jo vetëm imazhe të jetës dhe betejave të tij, po edhe pamje historike e etnografike të shoqërisë shqiptare të kohës, si dhe ndjenja artistike e përjetime estetike të veprave të shkruara. Nuk është e rastit që poezitë e shkruara disa shekuj më parë, pra vetëm pas vdekjes së Heroit tonë, në shekujt XV-XVII, nuk janë më pak të realizuara artistikisht se poezitë e shkruara në shekullin XX-XXI. Nuk është e rastit madje pse dramat, tragjeditë e komeditë e shkruara në shekujt e largët, sot i mungojnë teatrit shqiptar dhe teatrit europian, si dhe nuk është e rastit prej romaneve të shkruara shekuj më parë, janë frymëzuar edhe shkrimtarët e kohës sonë.      

Kërkimet e gjertanishme në fushë të botimeve skënderbegiane kanë dëshmuar se deri më tash janë botuar mbi 1000 vepra, ndërsa disa dhjetëra botime e ribotime pritet të dalin gjatë vitit jubilar (2018), por prej aktiviteteve të gjertanishme shkencore një sintezë e madhe e tyre ende nuk është bërë. Prej kërkimeve arkivore dëshmohet se jo vetëm dokumentet pritet të zbulohen e botohen po edhe dorëshkrime veprash dramatike, të cilat ishin shkruar për teatrot e kohës, por nuk ishin botuar. Janë provuar të bëhen vepra dhe sinteza për portretin e Skënderbeut në gjuhë të ndryshme: angleze, italiane, spanjolle, gjermane, serbe etj., por ende nuk janë bërë sinteza të mëdha e gjithëpërfshirëse për imazhin e Skënderbeut në krijimtarinë letrare: poezi, dramë, romane etj., e të mos flasim për tekstet historike, biografike, publicistike, dokumentare, ushtarake, politike etj. Ende nuk kemi monografi të veçanta për imazhin e Skënderbeut në teatro, muzikë, pikturë, filma dokumentarë e artistikë etj. Sprova jonë që këtë ta bëjmë për gjininë poetike, prozaike dhe dramatikeështë vetëm një fillim inicues dhe orientues.

(Pjesë nga një studim më i hapur)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm në detyrë i Rusisë, Sergey Lavrov, ka…