“Prangat nuk mund ta errësojnë pastërtinë e rrugës së tij”, Gucati pas vizitës së Jakup Krasniqit: Dënimi më i madh i bëhet ndërgjegjes sonë kolektive
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka reaguar pas vizitës së Jakup Krasniqit në shtëpinë e tij në Prishtinë, duke shprehur pakënaqësi për faktin se ish-kryetari i Kuvendit nuk mund të jetë i lirë në vendin e tij dhe pranë familjes.
Përmes një postimi në Facebook, Gucati e ka cilësuar të rëndë dhe të padrejtë situatën me të cilën po përballet Krasniqi, duke vënë në pah kontributin e tij për lirinë e Kosovës.
Ai ka përmendur edhe bashkëshorten e Krasniqit, Sevidijen, për të cilën ka thënë se qëndron e fortë përkrah tij, pavarësisht vështirësive.
Gucati ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për kufizimet që, sipas tij, i janë bërë Krasniqit, duke theksuar se nuk i lejohet as takimi i lirë me familjarët në vendin për të cilin kishte sakrifikuar.
”Baca Jakup ka hyrë në histori si burrë shteti e idealist i pastër. Prangat fizike nuk mund ta errësojnë dot pastërtinë e rrugës së tij, por dënimi më i madh nuk i bëhet atij i bëhet vetë ndërgjegjes sonë kolektive, nëse heshtim përpara këtij persekutimi. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por krenaria dhe dinjiteti i Bacës Jakup dhe Zonjës Sevidije nuk gjunjëzohen kurrë”, ka shkruar Gucati.



