Premtimet elektorale të VV-së: Ku mbetën çokollatat e Albin Kurtit (Video)

22 prill 2021 | 20:22

Fushata elektorale e zgjedhjeve të fundit edhe Kurtit i nxori premtime si të tjerëve. Një e tillë ishte rritja e pensioneve, por diçka e tillë nuk ndodhi. Një muaj pasi Kurti mori timonin e ekzekutivit, ai vendosi t’ua zvogëlojë pensionistëve shtesat mujore.

Një pensionist në zgjedhjet e fundit në Kosovë, kërkoi nga Kurti rritjen e pensioneve në mënyrë që të mund t’ju blinte çokollata nipave dhe mbesave.

E Kurti, si një kryeministër i xhymertë garantoi me emrin e tij se e mbështetë këtë kërkesë.

Por, fiks një muaj pasi Kurti u bë kryeministër, qeveria e tij përveç se nuk i rriti pensionet, vendosi ta bëjë të kundërtën duke ua zvogëluar të ardhurat.

“Duam të na rriten edhe neve pensionet. Me ua ble nipave dhe mbesave ndonjë çokollatë”, kishte kërkuar një pensionist nga Kurti.

Ndërsa Kurti e mbështeti këtë kërkesë të pensionistit duke thënë “Unë jam Albin Kurit dhe e mbështes këtë kërkesë”.

Kryeministri para Kurtit, Avdullah Hoti, u kishte dhënë shtesa prej 30 eurove pensionistëve për tre muaj. Tash pas tre muajve, kryeministri i ri vendosi që shtesat e pensionistëve të rriten për 10 apo 25 euro.

Vendimi i tillë i qeverisë nuk kaloi pa reagime. Nga pensionistët u konsiderua vendim joligjor, derisa opozita tha se është vendim skandaloz dhe nëpërkëmbës.

Pensionistët që në tre muajt e fundit kanë marrë shtesa në vlerë 30 euro, tash e tutje do të marrin nga 10 ose 25 euro shtesa.

Me këtë vendim, të gjithë pensionistët jokontributdhënës do të barazohen, duke marrë nga 100 euro në fund të muajit. Për dallim nga shtesat e tjera, kjo do të jetë e vlefshme deri në fund të vitit.

Pa një vendim të tillë, përfituesit e pensioneve do të merrnin nga 75 ose 90 euro, ashtu siç ishte e planifikuar në buxhetin e vitit 2021.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve, Shaban Kajtazi, ka thënë se kjo çka ka ndodhur është e papranueshëm dhe johumane.

“Ne konsiderojmë vendimin e Qeverisë të pa papërshtatshëm, të papranueshëm, jo human dhe jo ligjorë. Në rast se kjo moshë është lënë anash, po përbuzet dhe nënçmohet me çdo veprim, jo vetëm nga kjo Qeveri por nga të gjitha qeverive të tjera”, tha ai.

“Është turp që vajzat dhe djemtë tanë me votat tona që erdhën në qeveri me i shkel aq keq këtë moshë, të cilët janë edhe më shëndetligë edhe materialisht ligë dhe janë në gjendje të rëndë”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi ka përmendur edhe kohën kur Kurti, u premtonte pensionisteve bërjen e ligjit për sigurime shëndetësore, dhe jo nga gjitha ato premtime të bien në 10 euro.

“Në muajin maj bëhet 1 vit kur kam qenë në pranim tek Kurti, mas marrjes së Qeverisë 1 dhe na ka premtuar se do ta bëjë ligjin për sigurime shëndetësore, invalidore që do ta bëjë ligjin për mbrojtje shëndetësore, por nuk dul asgjë prej asaj, prej atyre premtimeve me ra në 10 euro, kjo është një papërgjegjësi totale dhe e papranueshme” ka deklaruar ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka quajtur këtë vendim skandaloz, ta papranueshëm dhe nëpërkëmbës.

“Skandaloz, i papranueshëm dhe nëpërkëmbës vendimi i Qeverisë Kurti për uljen e shtesave për pensionistët dhe mjekët e infemierët që po luftojnë me pandeminë. Kjo Qeveri që i la gjyshërit tanë pa vaksina tani po ua zvogëlon edhe atë pak mbështetje që u duhet për ilaçe”, ka shkruar Hoxhaj.

Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar këtë vendim.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se është jonjerëzore heqja e 20 eurove nga pensionet.

“S’po muj me besu që të hiqen 20 euro shtesa nga pensionet, në këtë kohë kaq të vështirë. Jonjerëzore!”, ka shkruar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti Arbnor Ramadani është i lumtur se Llapi është kualifikuar…