Frankfurt, presidenti Ademi prezanton projektet e FFK-së në Komitetin HatTrick

26 tetor 2022 | 13:07

Presidenti  i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është duke marrë pjesë në mbledhjen e radhës së Komitetit HatTrick të UEFA-s, i cili është duke u mbajtur në Frankfurt.

Gjatë këtij takimi, Ademi ka paraqitur projektet dhe nevojat financiare për infrastrukturë, për edukim e zhvillim, për futbollin e femrave dhe për “Grassroots”.

Në adresimin e tij para anëtarëve tjerë të Komitetit HatTrick, presidenti i FFK-së, ka bërë prezantimin e projekteve të përbashkëta me komunat, me theks të veçantë për projektin në kryeqytet, ku do të bëhet Kampusi i Sportit të kryeqytetit, e ku parashihet të jetë edhe një stadium tjetër i kategorisë së katërt të UEFA-s si dhe disa fusha ndihmëse.

Pjesë e këtij kampusi parashihet të jetë edhe një palestër multifunksionale, e cila do të jetë edhe në shërbim të klubeve të futsallit si dhe për ekipet kombëtare të futsallit.

Për herë të parë presidenti Ademi ka prezantuar edhe projektin e energjisë efiçiente dhe atë të shëndetësisë sportive. Më tutje, Ademi ka paraqitur projektin për vazhdimin ndërtimeve në Kampin Nacional në Hajvali, ku do të ndërtohet edhe një fushë e mbyllur me standardet e UEFA-s, e ku do të mund të stërviten ekipet kombëtare gjatë periudhës së dimrit.

Gjatë paraqitjes së tij, presidenti i FFK-së, ka prezantuar edhe një projekt të veçantë për mirëmbajtjen e stadiumeve dhe objekteve sportive, teksa ka shpalosur edhe fillimin e projektit të Kampit në Obiliq, pastaj projektin multietnik në Kishnicë, projektin e Karantinës së Ekipeve Nacionale në Batllavë, si dhe të shtëpisë për rehabilitimin e futbollistëve (sportistëve) pas operimeve ose lëndimeve.

Gjithashtu, Ademi ka paraqitur edhe një marrëveshje që do të funksionalizohet me Institutin e Mjekësisë Sportive në Orllan, për të cilën ndërtesë është bërë kërkesa te kryetari dhe Asambleja e Komunës së Podujevës.

Një tjetër projekt shumë atraktiv, i cili është prezantuar para Komitetit HatTrick është edhe ai në parkun e Gërmisë, të cilin presidenti i FFK-së e ka vlerësuar si projekt sportivo-ekonomik, e nëpërmjet të cilit kryeqyteti i Kosovës do t’u japë mundësi rinisë për aktivitete sportive.

Si projekt i rëndësisë së veçantë është prezantuar edhe krijimi i Kolegjit të Futbollit, derisa si projekt shumë i rëndësishëm është edhe ai i përzgjedhjes së 50 trajnerëve të rinj të Kosovës, të cilët do të ndjekin edukimin nëpër klubet e ligave evropiane dhe më pas përvojën e fituar do të kthehen ta instalojnë në futbollin vendor.

Të gjitha projektet e prezantuara në Komitetin HatTrick, duke përfshirë edhe specializimin e administratës në kurset e UEFA-s, janë përfshirë në Strategjinë e FFK-së për 5 vitet e ardhshme.

Presidenti Ademi ka raportuar edhe për projektet e realizuara me komunat dhe ato që janë të parapara për t’u finalizuar, teksa ka theksuar se çdo komunë që bën memorandum me FFK-në do ta ketë mundësinë e ndërtimit të fushave stërvitore.

Në fund, presidenti i FFK-së ka kërkuar përkrahje nga anëtarët e tjerë të Komitetit HatTrick për të gjitha projektet e FFK-së, duke theksuar rëndësinë që rinisë së Kosovës t’i krijohen mundësitë dhe hapësirat e nevojshme për ta zhvilluar talentin e tyre në futboll.

Ai ka theksuar se Kosova është me fat që ka rini shumë të talentuar dhe kjo po dëshmohet si në vendin tonë, ashtu edhe në çdo vend të Evropës dhe botës ku jetojnë e veprojnë bashkatdhetarët tanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi nëpërmjet…